I vranë djalin për një karikues, e ëma me lot në sy: Të arrestohen kriminelët

E veshur e tëra me të zeza, Mira Mihali, mamaja e 22-vjeçarit Marvi Mihali, i cili u vra rreth një vit më parë për një karikus, na hap portën e shtëpisë, e cila ndodhet në lagjen “Riza Cerova” në kryeqytet.

Marketing

Në banesën private në të cilën mbizotëron heshtja dhe zija ndodhen edhe dy gra të tjera të ulura në karrige, në përpjekje për të ngushëlluar të afërmen e tyre. Teksa e pyesim për vendimin e dhënë pak ditë më parë nga Gjykata Tiranës, për lirimin e tre prej të rinjve që akuzohen për vrasjen e djalit të saj të vetëm, 40-vjeçares i mbushen sytë me lot.

Tejet e dëshpëruar, ajo tha për “Gazeta Shqiptare” se tre kriminelët duhet të arrestohen përsëri për krimin makabër.

“Do pres vendimin nga gjykata dhe sigurisht që tre kriminelët do arrestohen përsëri, se kanë bërë makabritet. Gjithçka është e tmerrshme, që nga mënyra si janë nxjerr lajmet në fillim. Marvi nuk i njihte autorët, është futur t’i ndante dhe e masakruan djalin. Jam shumë e lodhur. Prokurorin e ri e ka caktuar prokuroria që të vendosë drejtësi pas largimit të Artan Lulaj, i cili mbajti anën e vrasësve“, u shpreh Mira Mihali, e ëma e Marvi Mihalit.

Ndërkohë nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, e ëma e Marvit tregon dhimbjen e pafund për humbjen e djalit të saj të vetëm dhe kërkon drejtësi, duke akuzuar pro-kurorin Artan Lulaj për lirimin e tre të rinjve, të cilët më herët u akuzuan për “moskallëzim krimi”.

“Të dashur miq dhe dashamirës! Do donim t’ju falënderonim për mbështetjen tuaj dhënë në ato ditë të vështira kur djali ynë i vetëm, pafaj, Marvi, u ther me thikë nga një grup kriminelësh. Këto kanë qenë muaj të gjatë të mbushur me lot dhe dhimbje çnjerëzore pafund! Tashmë, dhimbja është bërë pjesë e jetës sonë dhe kështu do të vazhdojë të jetë, por këtë dhimbje po na e bëjnë me torturuese fakti që s’po shoh drejtësi për djalin tim! Prokurori i çështjes, Artan Lulaj një monstër me fytyrë njeriu, u bë palë me vrasësit dhe ngriti një akuzë ku tre kriminelët i la të lirë. Marvin e vranë përsëri, por këtë herë prokurori demon Artan Lulaj, ky që duhet të ishte zëri i së drejtës dhe së vërtetës“, shkruan mamaja e Marvi Mihalit.

Kërkesa e prokurorisë

Pas lirimit të tre të rinjve, të cilët u ndaluan për vrasjen e Marvi Mihalit më 31 korrik 2017, prokuroria e Tiranës kërkon rikthimin e tyre në qeli dhe po ashtu ndryshimin e akuzës. Fillimisht ndaj tre të rinjve u ngrit akuza për moskallëzim krimi. Konkretisht ndaj Eugen Bitrajn, Kridens Alla dhe Marsel Allën. Para disa ditësh të rinjtë u lanë të lirë, ndërsa kërkesa për gjykim ndaj tyre u bë nga prokurori Artan Lulo. Ndaj këtij prokurori u bë kontestimi nga familjarët e Marvi Mihalit dhe më pas dosja i kaloi prokurorit Gjergji Tako. Këtë martë, prokurori Tako kërkoi rikthimin e të liruarve në qeli dhe po ashtu ndryshimin e akuzës nga “moskallëzim krimi” në “bashkëpunëtor në vrasje” së bashku me Devi Bitrajn. I vetmi që po qëndron në qeli është Devi Bitraj, i cili sipas Prokurorisë së Tiranës, rezulton të jetë njeriu i vetëm që ka qëlluar me thikë në zemër Marvin Mihalin.

Lirimi i tre të rinjve u prit me shumë pakënaqësi nga familjarët e viktimës, të cilët janë duke e ndjekur hap pas hapi këtë çështje. Menjëherë pasi mësoi lajmin e lirimit të tyre, nëna e Marvin Mihalit, në një postim në “FB” shkroi se tre nga kriminelët që bashkëpunuan në vrasje dhe dhunuan trupin e djalit të saj në momentet e fundit ndërsa djali jepte shpirt, prokurori Artan Lulaj, i etur për para i kishte liruar nga burgu pa e ditur askush. “Sot është një ditë e zezë për mua! Marvin tim ma vranë përsëri! Tre nga kriminelët që bashkëpunuan në vrasje dhe dhunuan trupin e tij në momentet e fundit ndërsa djali jepte shpirt, prokurori monstër, vampir, demoni, sharlatani, maskarai Artan Lulaj i etur për para, i kishte liruar nga burgu pa e ditur askush! O Zot çfarë tmerri! Të shikosh vrasësit e birit të vetëm pa akuzë, të lirë në sallën e gjyqit dhe tek i shihja, më dilte parasysh video e ngjarjes, shkelmat e tyre mbi trupin e djalit tim! Sa më e madhe se kaq duhet të jetë dhimbja? Dhe çfarë torturash të tjera duhet të kaloj! Më thoni o njerëz, çfarë duhet të bëj në këtë vend? Si do ta vendos drejtësinë? Ju lutem më ndihmoni”, – shkruan në profilin e saj Mira Mihali, nëna e Marvin Mihalit.