Gjykata e Tiranës la në masën e sigurisë arrest me burg Agron Selmanin i arrestuar të mërkurën, sapo doli nga Ambasada Amerikane, pasi ishte paraqitur për të dhënë intervistën për të marrë vizën.
Gjyqtari Sokol Tona vendosi ta lërë në burg deri në përfundim të hetimeve. 41-vjeçari Selmani akuzohet për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve shkollore”.
Ishte Shërbimi Diplomatik i Sigurisë DSS që zbuloi se mes dokumenteve që kishte dorëzuar për të marrë vizën përmes lotarisë, Selmani kishte edhe një diplomë të shkollës së mesme “Jordan Misja” në Shkodër.
Diploma rezultoi se ishte false, pasi Selmani nuk kishte qenë asnjëherë në këtë shkollë.
Mësohet se prokuroria i është paraqitur gjykatës me dy kërkesa të ndryshme. Ditën e djeshme në sekretari u dorëzua kërkesa që Selmani të lihej në arrest shtëpie, e ndërsa në seancën e sotme kërkesa ishte për arrest me burg, kërkesë kjo që u pranua më pas nga gjykata.
PANORAMA