“Ibiza affair”/ Parlamenti rrëzon Qeverinë e Kurz

Pas tre orësh debat, Parlamenti i Austrisë ka votuar për të rrëzuar Qeverinë e kancelarit Sebastian Kurz, duke i hapur rrugë krijimit të një ‘qeverie kujdestare’ që do të organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Marketing

Opozitës së drejtuar nga Social-Demokratët i mjaftonte një shumicë e thjeshtë në Parlament për të rrëzuar Qeverinë e Kurz, ndërkohë që në votim iu bashkuan edhe radikalët e Partisë së Lirisë. Kjo është hera e parë që prej 1945-ës, që një Qeveri në Austri humbet në mocionin e mosbesimit.

Qeveria austriake u përfshi në një skandal një javë më parë, kur zv/kancelarit Heinz-Christian Strache iu publikua një video ku premtonte kontrata shtetërore për një biznsmene ruse. Në skandalin e quajtur tashmë nga mediat si “Ibiza affair”, rusja kishte për qëllim të blinte gazetën austriake me tirazhin më të lartë “Kronen Zeitung” dhe nëpërmjet saj t’i jepte mbështetje Partisë së Lirisë, për të fituar më pas kontratat nëse Strache do të bëhej pjesë e Qeverisë.

Kurz vendosi të largonte partinë e Strache nga koalicioni, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Zgjedhjet e reja pritet të organizohen në muajin shtator.

Pavarësisht skandalit, ku Kurz nuk ishte i përfshirë personalisht, Partia e Popullit, që drejtohet prej tij, ka marrë mbështetjen e austriakëve duke u renditur e para në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Marketing