Ibrahim: Kandidatët turq nga “Fronti Europian” nuk ndajnë vlera të përbashkëta, do të largohen nga ky koalicion pas zgjedhjeve!

Kandidatët turq për deputetë që janë në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) në kuadër të “Frontit Europian” nuk ndajnë vlera të përbashkëta, ndaj do të largohen nga ky koalicion pas zgjedhjeve. Kështu është shprehur në intervistë për portalin PRESSonline.al, Enes Ibrahim, kryetar i Partisë Lëvizja Turke (THP) dhe kandidat për deputet i “Koalicionit për Ardhmërinë Europiane” në Zonë 5 zgjedhore.

Marketing

“Koalicionet duhet të kenë vlera të caktuara, në këtë rast, nëse janë Fronti Evropian, partitë politike që besojnë në këtë koncept duhet të marrin pjesë realisht në atë koalicion dhe jo ato që duan vetëm të kenë një deputet dhe pastaj në orën 20 më 8 maj të ikin në koalicione të ndryshme. Viteve të kaluara kjo ka ndodhur edhe brenda koalicioneve tjera, kështu që shumica e atyre partnerëve të koalicionit nuk do të qëndrojnë me BDI-në sepse nuk i kanë të njëjtat vlera si BDI. Koalicioni i udhëhequr nga BDI, mendoj se nuk është parimor. Shumica e atyre partnerëve të koalicionit, më parë kanë qenë në koalicion me VMRO DPMNE-në, pastaj kanë qenë me LSDM-në, pasi që dyert ua kanë mbyllur LSDM dhe VMRO DPMNE, kanë gjetur një derë të vogël në BDI. Kur flas për një koalicion joparimor, e kam fjalën për vlerat evropiane. Në këtë koalicion keni parti politike dhe individë që kanë qenë gjithmonë anti-NATO, anti-Evropë. Dhe për këtë arsye ky koalicion është joparimor dhe nuk do të ketë sukses”, beson Ibrahim.

Nëse bëjmë një krahasim, shton ai, që nga koha e Gurevizmit, pra qeveria e udhëhequr nga VMRO DPMNE në krye me Gurevskin dhe qeveritë e udhëhequra nga Zoran Zaev dhe Dimitar Kovaçevski, dallimi është shumë i madh.

“Gjatë Gurevizmit, për fat të keq, komuniteti turk ishte kategoria e dytë e qytetarëve. Të paktën kështu ndiheshin turqit. Me ardhjen, pra me ndryshimin e qeverisë, komuniteti turk tashmë ka avancuar të drejtat e tij. A mjafton? Natyrisht nuk mjafton, por për 11 vjet ndërsa luftuam kundër regjimit, komuniteti turk ishte i margjinalizuar dhe i izoluar, por edhe vendi ynë ishte i izoluar. Nëse komuniteti turk dëshiron të avancojë të drejtat e tij, pra komunitetet etnike më pak të mbrojtura, nëse duan të avancojnë të drejtat e tyre, rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është elementi më i rëndësishëm”, thekson Ibrahimi në intervistën për PRESsonline.al.

Sipas tij, bashkësitë etnike më pak të mbrojtura, duke përfshirë edhe atë turk, nuk kanë alternativë dhe për këtë arsye, sipas tij, duhet të vazhdohet rruga drejt Bashkimit Evropian.

“Ka shumë arsye pse turqit dhe të gjithë qytetarët e Republikës nuk duhet të votojnë për ne. Ne treguam transparencë, guxim, treguam se si të menaxhojmë krizat botërore, dhe pandeminë, si dhe problemet e shkaktuara nga lufta që po ndodh aktualisht midis agresorit Rusisë kundër Ukrainës, apo lufta midis Izraelit dhe Gazës. Në të gjitha problemet, shteti u menaxhua me sukses, veçanërisht në fushën e ekonomisë. Rruga drejt Bashkimit Evropian është një element shumë i rëndësishëm për ne, një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin demokratik, për prosperitetin ekonomik, theksoi Enes Ibrahim, kryetar i Partisë Lëvizja Turke (THP) dhe kandidat për deputet i “Koalicionit për Ardhmërinë Europiane”.

Ai thekson se më 8 maj komuniteti turk do të dalë masivisht dhe do të votojë numrin 1, prosperitetin dhe Maqedoninë evropiane.

“THP, mandatin e ardhshëm planifikon të themeloj një institut për gjuhën turke dhe kulturën turke, nënvizoi Ibrahim.