Ish-deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi, ka reaguar ashpër në një status në Facebook duke kritikuar zhvillimet e fundit brenda koalicionit VLEN. Ai theksoi se 107.000 votat shqiptare nuk ishin dhënë për ambicie personale të liderëve, por për të larguar nga pushteti BDI-në dhe Ali Ahmetin.
Sipas Ibrahimit, premtimi kryesor i VLEN-it ishte që të mbanin BDI-në në opozitë për katër vite, mirëpo tashmë një nga liderët e koalicionit ka vendosur të dalë i vetëm në zgjedhjet lokale, duke synuar të fitojë “plus pesë këshilltarë” më shumë. Ai shprehet i zhgënjyer se ky veprim po paraqitet si mbrojtje e vullnetit të votuesve shqiptarë anti-BDI.
“Ndërkohë, ne që votuam për ndryshim, dëgjojmë ligjërata psikoanalitike që na thonë të presim me qetësi, urtësi dhe durim,” shkruan Ibrahimi, duke shtuar se ndoshta po flet i pushtuar nga emocione të forta dhe zhgënjim i thellë.