Ibrahimi e sfidon Frontin: Publikojeni letrën e nënshkruar, nëse e keni, ose kërkoni falje që mashtroni!

Sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, në një postim në rrjetin social facebook, e ka sfiduar rëndë Fontin… dhe siç i ka quajtur ata disa analistë “të pavarur”, lidhur me ekzistimin e një letre, si gjoja marrëveshje gjithëpartiake. Në vazhdim mund ta lexoni postimin e plotë:
SFIDË PUBLIKE
Këto ditë, kur Ali Ahmeti doli me njëfarë letre si gjoja marrëveshje me partitë e koalicionit VLEN, dhe shumë analistë “të pavarur” vazhdojnë t’ia mbajnë ison se VLEN-i nuk po e respektuaka atë marrëveshje, i bëj thirrje publike Ali Ahmetit dhe krejt liderëve të mërzitur që i ka pranë vetes:
KENI AFAT 24 ORË ose, po të doni, 24 VJET, QË TA PUBLIKONI LETRËN E NËNSHKRUAR.
Nëse nuk e publikoni, ju jeni mashtrues, gënjeshtarë dhe shpikës të gjërave që nuk ekzistojnë vetëm për ta shpëtuar ndonjë ditë në pushtet.
Këtu u bëj thirrje edhe këtyre analistëve “të pavarur”, si Sefer Selimi, që e quan Afrim Gashin “rrenavec” që t’ia kërkojë letrën Ali Ahmetit. Nëse në 24 orët e ardhshme ky çuni nuk e nxjerr letrën e nënshkruar, që ta përgënjeshtrojë Afrim Gashin, i mbeten dy udhë: ta quajë Ali Ahmetin “rrenavec” ose t’i kërkojë falje Afrim Gashit. Besoj se kjo e dyta është më e lehtë.
Po jua hedhi peshqirin! Urdhëroni, matuni!