Ibrahimi i reagon Taravarit: Faji s’ishte i atyre që dikur kanë qenë me BDI-në, por i atyre që do të shkojnë në lista të përbashkëta me Ali Ahmetin

Sekretari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të ASH-së, Arben Taravari në “Summer Click” në TV21. Ibrahimi sërish e akuzon pushtetin për mos-përfshirjen e heqjes së “20%-shit” në ndryshimet kushtetuese, e që i referohet gjuhës shqipe. Për deklaratën e Taravarit se fronti opozitar është derivat i BDI-së, Ibrahimi thotë se “faji nuk ishte i atyre që dikur kanë qenë me BDI-në, por i atyre që sot janë me BDI-në dhe që do të shkojnë në lista të përbashkëta zgjedhore me Ali Ahmetin”.

Marketing

“Nuk është e vërtetë ajo që e thotë z. Taravari. Për fat të keq! Unë e kuptoj se kryetari i Aleancës për Shqiptarët është zënë ngusht që tash me duart e ministrave të tij ka nënshkruar që propozim-ndryshimet kushtetuese të mos e zgjidhin problemin ofendues të gjuhës shqipe, por për këtë nuk mund t’i ndihmojmë. Ai dhe partia e tij e kanë shkelur me të dyja këmbët gjuhën shqipe dhe janë bërë bashkë me Soravia-n kundër gjuhës shqipe. Sidoqoftë, ne nuk kemi çfarë të bëjmë kundrejt idilës martesore BDI-ASH, që i ka bërë të heqin dorë edhe nga një propozim për të cilin vetëm para disa muajve rrihnin gjoksin dhe çirreshin deri në qiell, por ne do të vazhdojmë të flasim dhe ta mbrojmë gjuhën shqipe pavarësisht se ASH-ja është zhvendosur nga agjenda kombëtare, sepse për neve integrimi në BE nuk bie ndesh me asgjë me përmendjen e gjuhës shqipe në kushtetutën e RMV-së. Ndërkaq, sa i takon akuzës se ne kemi qenë në BDI, si duket i ka ngatërruar emrat, sepse po ta marrim me numra, mund të dalë një listë më e gjatë pikërisht e njerëzve të ASH-së. Ndonëse është kështu, faji nuk ishte i atyre që dikur kanë qenë me BDI-në, por i atyre që sot janë me BDI-në dhe që do të shkojnë në lista të përbashkëta zgjedhore me Ali Ahmetin”