Zeqirija Ibrahimi, kryetar i Alternativës, ka komentuar vendimin e
ASH-së për të dal jashtë Koalicionit VLEN.
Ibrahimi vlerëson se secili që largohet nga VLEN shkon direkt te Plaku i
Soravisë dhe është në shërbim të Partisë Nongrata.
“ Në çastet e udhëkryqeve politike, sinqeriteti ndaj qytetarëve nuk
është luks, por është detyrim.
Prandaj dua të shpreh një qëndrim të qartë dhe të drejtëpërdrejtë.
Që nga viti 2016, shqiptarët nuk kanë pasur zgjedhje ku partitë e tyre
kanë garuar të ndara. Atëherë u tha, me të drejtë, se ndarja e dobëson
zërin shqiptar dhe e fuqizon një forcë që e ka ndërtuar pushtetin mbi
përçarje.
Sot, përballë dy koalicioneve të qarta – VLEN dhe Fronti Europian i
udhëhequr nga BDI – çdo largim nga VLEN-i nuk është neutralitet, por
është një kalim tek Fronti, tek BDI-ja, ose, më saktë, tek Plaku i
Soravisë. E thënë troç: kush largohet nga VLEN-i, është në shërbim të
Partisë Nongrata.
Pa dramatizime në rolin e viktimës, pa interpretime simbolike e pa
ekzegjeza politike. Ky është realiteti politik.
Çdo individ ose subjekt ka të drejtë ta zgjedhë rrugën e vet, por ne
kemi detyrim që qytetarëve t’ua themi të vërtetën.
VLEN-i nuk është thjesht një projekt partiak, por është një përgjigje
ndaj një nevoje të madhe historike – bashkimi për t’i dhënë fund një
realiteti që shqiptarët nuk e duan më.
Në këtë rrugë, qartësia, besnikëria dhe transparenca nuk janë luks, por
janë vlera që ndërtojnë besim dhe garantojnë ndryshim”, shkruan
Ibrahimi.