Profesorët Mustafa Ibrahimi me temën “Përkthimi i teksteve të veçanta sociologjike dhe kulturore” dhe Qemal Murati me temën “Përkthimi i teksteve për artet dhe shkencat humane”, janë ligjëruesit e radhës në trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të administratës shtetërore që organizohet nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës.
“Tema që trajtoj ka një rëndësi të veçantë për përkthyesit, sepse dukuritë sociolinguistike janë mjaft të pranishme në çdo tekst. Sociolinguistika, që paraqet raportin e gjuhës me shoqërinë ose anasjelltas, është mjaft aktuale në komunikim dhe shkrim” thotë prof. dr. Mustafa Ibrahimi, i cili shton se gjatë ligjëratave trajtohen edhe disa nëntema si globalizmi përballë gjuhëve, shtresimet e gjuhëve, planifikimi i gjuhëve si dhe kriteret për mbrojtjen e gjuhës standarde. Si çështje përkthimi u përmendën perifrazat, përkthimet e toponimeve binjake, përkthimet e zhargoneve dhe blendeve etj.
Ai e përshëndet iniciativën e agjencisë, për të organizuar këto trajnime, të cilat i konsideron si shumë të qëlluara, sepse kanë një rëndësi të veçantë për profesionalizimin në fusha të ndryshme dhe këto duhet të vazhdojnë.
“Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, për një kohë shumë të shkurtër arriti të strukturohet dhe të bëjë hartimin e planifikimit për veprimin profesional në mbrojtjen e gjuhës shqipe nëpër institucione dhe përkthimin cilësor të teksteve” thotë në fund prof. dr. Mustafa Ibrahimi.
“Është për t’u përshëndetur aktiviteti që zhvillon kjo agjenci me trajnimet për lektorë e përkthyes me një intenstitet të konsiderueshëm, për çka ka interesim nga punonjës në institucione të ndryshme, që të marrin dije dhe ta perfeksionojnë edhe më shumë gjuhën, në mënyrë që tekstet të dalin me sa më pak gabime” thotë prof. dr. Qemal Murati. Ai shton se “Sigurisht që nuk mund të pretendojmë që të kemi tekste pa gabime, sepse kjo është e paarritshme. Edhe unë në bashkëbisedim me ta, si pedagog ose si referues i disa problematikave, i shtrojmë disa probleme që t’i zgjidhim shkallë – shkallë, sepse nuk mundet me një të rënë të lapsit.
“Gjuha është kulturë, por dhe çkulturë, gjuha të jep identitet nacional, kulturor dhe qytetërimor. Nëse e flasim gjuhën, kemi identitet qytetërimor, por nëse e flasim gjuhën përplot gabime siç e kemi në gjendjen e sotme, atëherë ky është një element që na degradon. Sot kemi një gjuhë standarde, por në praktikë, në medie, mund të themi se e kemi përtokë, prandaj dhe duhet të krijohen institucione për mirëmbajtjen e standardit të saj. Një rol të tillë, fatmirësisht, e ka marrë Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, krijuar para disa vitesh, e udhëhequr nga drejtori me kontribute të shquara, Ylber Sela” thotë prof. dr. Qemal Murati, duke theksuar se një agjenci të tillë do të duhej ta kishim edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri.
Trajnimi i organizuar nga AZGJ-ja tashmë ka hyrë në javën e pestë dhe në të janë përfshirë mbi 60 të punësuar nga institucione të ndryshme dhe do të përfundojë në javën e parë të korrikut.