Ibrahimi: Politika nuk është veprimtari komerciale

Kryetari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi në një status në rrjetin
social facebook shkruan se politika nuk është veprimtari komerciale.
Sipas tij shoqëria jonë meriton më shumë dinjitet dhe respekt.
“Kur bëhet normalitet që politikanët të flasin vetëm në terma të
përfitimit/humbjes elektorale, ata prej përfitimit/humbjes për
kombin/komunitetin kalojnë në përfitimin/humbjen e partisë së tyre, për
të përfunduar në përfitimin/humbjen e tyre personale. Duke e normalizuar
këtë, për një politikan të tillë nuk është më problem që krejt
organizatën, me krejt aktivistët e devotshëm që mund t’i kenë besuar
retorikës së tij, t’i sakrifikojë si asgjë për ta shpëtuar veten nga
humbja ose për ta siguruar përfitimin.
Kjo u ndodh politikanëve që hyjnë në politikë vetëm me pazarin për të
fituar e jo për të mbrojtur një sistem vlerash, një ide fisnike, një
kauzë që nuk përkthehet në terma komercialë.
Prandaj, keqardhja duhet të jetë më shumë për shkak të gjendjes së
përgjithshme dhe për shkak se edhe ky soj i politikanëve zë vend në
hapësirën politike sesa për atë se kush pësoi e kush fitoi.
Shoqëria jonë meriton më shumë dinjitet dhe respekt”, ka shkruar
Ibrahimi.

Marketing