“Unë vij nga planeti Zlatan”, është një nga frazat e veçantë të Ibrahimoviç, sulmuesit që edhe në moshën 39-vjeçare bën ende diferencën në fushën e blertë.
Në të ardhmen do e bëjë edhe jashtë saj, pasi kemi të bëjmë me një nga sportistët më karizmatikë të të gjitha kohërave.
Gjigandi suedez ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s ku nuk ka kursyer batutat e tij të famshme.
INTERVISTA:
MOTIVIMI – “Jam 39 vjeç dhe me atë që kam bërë nuk kam më asnjë detyrim të punoj, por e kam ende pasionin për atë që bëj. Nuk jam kurrë i kënaqur dhe gjithmonë dua më shumë. Nuk shoh shumë lojtarë që janë në moshën time, që ishin më parë, dhe paraqiten si unë. Në momentin që një lojtar kalon moshën 30 vjeç, ata nisin të bien në formë dhe ta lënë futbollin. Kurse unë mbi moshën 30 vjeç nisa të bëhem edhe më i mirë.
Dëgjoj atletë nga SHBA që shpenzojnë më shumë se 1 milion dollarë për të mbajtur trupin në formë. Unë jam 39 vjeç dhe jam në formë. Luaj në nivele të larta dhe shpenzoj zero para për të qëndruar në formë. Sekreti nuk është se sa shpenzon, sekreti është në kokë: sa do dhe sa je i gatshëm të sakrifikosh. Ky është sekreti. Është mentaliteti dhe mentaliteti nuk kushton asgjë”.
SFIDA NË MOSHËN 39 VJEÇARE – “Do doja të kishin trurin e Zlatanit në trupin e një 25-vjeçari. Lodhem më shpejt tani, në krahasim kur isha më i ri. Fle shumë sepse kam nevojë të rikuperoj më shumë. Le të themi se pas ndeshjes, më parë më duhej një ditë të rikuperohesha dhe ndihesha mirë dhe i freskët. Tani më duhen dy ose tre ditë, gjë normale në moshën që jam.
Për sa kohë luaj, dua ta bëj këtë në nivel të lartë. Ditën që do ndalem do e bëj sepse nuk do të ndihem i gjallë. Dua të ndjej se e kthej pas besimin e dhënë. Nuk dua të kem avantazhe pse jam 39 vjeç. Dua që të më konsideroni në nivel të lartë dhe të më krahasoni me këdo, sepse atëherë unë e shtyj veten edhe më shumë”.
BUFON APO UNË MBI 50-VJEÇ? – “Buffon… Për të është më e lehtë, ai thjeshtë duhet të rrijë dhe të ndalë topat. Unë duhet të lëviz dhe të krijoj raste e të kem mundësi të gjuaj në portë, si dhe të jem në gjendje të luftoj me mbrojtësit. Kështu që ai ndoshta do të luajë më shumë edhe pa qenë në formë, por gjithsesi do t’ia jepja atij një lojë të vështirë“.
PENALLTITË NË EKIPIN E ËNDRRAVE – “Është e sigurt që do t’i gjuaja unë penalltitë dhe jo Messi. Kjo sepse jam unë kapiteni dhe vendos unë se kush i gjuan. Do të gjuaja tre të parat dhe pastaj do ia lija një atij. Pastaj tre të radhës unë dhe pastaj një tjetër atij”.
TATUAZHE MË TË BUKURA SE BECKHAM? “Të gjitha tatuazhet e mia i kam bërë prapa. Kjo sepse nuk i shoh dhe nuk mund të lodhem prej tyre. Nëse do i shihja përditë do të lodhesha prej tyre. Tani jam ndalur me tatuazhet, pasi nuk kam më vend pas. Të këmbët nuk bëj, ato nuk i prek sepse janë dhurata për mua. Përpara nuk dua të bëj asnjë tatuazh”.
KUSH PLAKET MË SHPEJT, IBRA APO BENJAMIN BUTTON – “Unë po bëj më mirë sepse jam provë e gjallë e kësaj, që rinohem me kalimin e kohës. Benjamin Button është vetëm një histori e sajuar. Jam profili perfekt për atë film. Unë jam duke bërë filmin e vërtetë, kurse Benjamin Button ishte një film për në kinema”.
MUNDJE KRAHU ME KING KONG – “Unë do ta shkatërroja Kin Kong. E sigurt, 100%. Do ta shkatërroja atë”.
LUANI APO IBRA ZBUTET MË ME VËSHTIRËSI – “Zlatan, 100%. Ju mund ta zbutni një luan, por nuk mund ta zbutni Zlatanin. Është një kafshë krejt ndryshe”