Icardi: Kalimi në PSG, një hap i madh në karrierën time

Mauro Icardi thotë se transferimi te kampioni i Ligue 1, Paris Saint-Germain, është një hap i madh në karrierën e tij si futbollist, pasi i dha fund makthit me Interin.

Marketing

Sulmuesi argjentinas e shkëmbeu klubin e Serisë A, Interin, për Paris Saint-Germainin në formë huazimi për një sezon. Ky transferim u arrit vetëm në orët e fundit të afatit kalimtar të verës, që u mbyll të hënën në orën 23:59, transmeton Gazeta Express.

Pasi iu mor shiriti i kapitenit dhe u la jashtë skuadrës dhe jashtë planeve të trajnerit Antonio Conte për klubin, Icardi e rinovoi kontratën edhe për një vit me zikaltrit, që e mban atë të lidhur me Interin deri në vitin 2022. Pas nënshkrimit të kësaj kontrate, ai e kompletoi huazimin në PSG.

Duke reflektuar në kalimin e tij në PSG, që besohet se do ta ketë mundësinë ta blejë sulmuesin për 70 milionë euro verën e ardhshme, Icardi tha për PSG TV: “Jam shumë i lumtur, i kënaqur”.

“Është një hap shumë i madh në karrierën time dhe një mundësi e madhe për t’iu bashkuar një klubi kaq të madh si Paris Saint-Germain. Shpresoj se do të arrij të bëj gjëra të mrekullueshme këtu”.

“Mundësia për të luajtur përkrah këtyre lojtarëve shumë të talentuar është e mrekullueshme. Vendimi ishte i lehtë për t’u marrë. Kam ardhur në Paris sepse desha të luaj me ta”.

“Unë i njoh argjentinasit natyrisht dhe e njoh Edinson Cavanin. E kam takuar edhe Neymarin. Jam krenar që do të bëhem bashkëlojtari i tyre”.

“Jam sulmues, më pëlqen të shënoj gola. Do të jetë e mrekullueshme të luaj në fazën e sulmit me lojtarët fantastik që i kemi në këtë skuadër”.

“Është gjithmonë e veçantë të luash kundër rivalëve. Kjo gjë e bën futbollin të mrekullueshëm. Kam luajtur kundër Juventusit, Milanit… këto janë ndeshje të mëdha. Mezi po pres të luaj në ndeshje të tilla edhe në Francë”.

“Kurrë nuk kam luajtur në Parc des Princes, kjo do të jetë hera e parë për mua. Do ta kem mundësinë të të tregoj se si është të luash aty pastaj”.

Icardi, i cili u transferua në Inter nga Sampdoria në vitin 2013, i shënoi 111 gola në Serie a dhe gjithsej 124 gola në të gjitha garat. Ai është golashënuesi i tetë më i mirë i klubit në të gjitha kohët.

Ai synon t’i ndihmojë PSG-së ta fitojë titullin e katërt radhazi të Ligue 1. Këtë synim do ta nisë me debutimin në ndeshjen kundër Strasbourgut, më 14 shtator.