Identifikohen vjedhësit e veturave “Golf 5” në Shkup

Policia është duke rënë në gjurmë të grabitësve të makina në Shkup. ALSAT nga burime brenda policisë mëson strukturën organizative të formuar nga shtetasi SH.N banues në Komunën e Likovës, i njohur për veprimtari kriminale edhe në vendet e Evropës si Gjermani dhe Zvicër, si dhe i dënuar paraprakisht për vepra penale të ngjashme. Dy persona të tjerë me inicialet D.A nga Kumanova dhe A.A nga Shkupi, për të cilin burime nga grupi hetimor flasin se është taksi, kanë qenë pjesë e grupit të shtetasit SH.N për grabitjen tashmë të disa makinave të tipit Volksvagen dhe të tjera kryesisht në Çair. Burime policore në rrethana jo zyrtare bëjnë të ditur se në ndihmë logjistike është edhe një person nga Kumanova me inicialet B.T me nofkën “Gumi”, por që akoma nuk është vërtetuar veprimtaria e tij konkrete. Personi në fjalë është gjithashtu i njohur për policinë dhe posedon precedent penal.

Marketing

Grupi kriminal, siç mëson ALSAT ka funksionuar i mirë strukturuar: personi që hapte makinat, ai që dekodonte dhe personi i cili merrte përsipër vozitjen e makinës jashtë Shkupit për në destinacion të panjohur akoma. Dekodimi, sipas burimeve tona është bërë përmes skartit, një pajisje krehër e cila lidh sistemin e makinës me një laptop përmes të cilit janë fikur sistemet e alarmit dhe kanë lehtësuar mënyrën e ndezjes së makinës, pa zhurmë dhe pa pasoja materiale. ALSAT mëson madje, se 2 persona të këtij grupi ranë në pranga të policisë, por si duket prokuroria i ka lënë të lirë, dhe nuk u ka caktuar masa kujdesi mbi arsyetimin e mungesës së provave të mjaftueshme. Një anëtarë i grupit kriminal është në arrati.

Prej ditësh, në Shkup, u dha alarmi i vjedhjes së makinave, që ndryshe nga herët e tjera, bëhej fjalë për vjedhjen vetëm të një tipi të caktuar makinash, Golf 5, për shkak se grabitësit kishin pajisje kompjuterike dekoduese vetëm për këtë lloj makine. Pavarësisht operacionit policor, ende është i paqartë destinacioni final i makinave, nëse ato shiten të plota apo pjesë-pjesë, dhe ku përfundojnë; në Tetovë, në ndonjë punishte të Vizbegut ose Kumanovës apo transportohen ilegalisht në Kosovë. Një ditë më parë, i pyetur nga ALSAT, rreth dështimit të mundshëm të këtij operacioni, ministri i Brendshëm Oliver Spasovski tha se “Kemi përparim serioz në hetim, prandaj së shpejti do ta informojmë opinion publik lidhur me këto vjedhje makinash”. Spasovksi shtoi se në këtë stad ka shumë rëndësi ruajtja e sekretit hetimorë dhe zbardhja e rastit me epilog pozitiv.

Operacioni i Departamentit për krime kundër pasurisë dhe delikuencës së të miturve në kuadër të Sektorit për Punë të Brendshme të Shkupit vazhdon prej ditësh, që nga denoncimi i qytetarëve gati dy javë më parë, duke e shtrirë operacionin deri në Kumanovë. Si provë materiale janë marrë edhe incizimet nga sistemi Safe City, si dhe ato pranë bankave, dyqaneve dhe objekteve tjera afariste të cilat mund të japin indikacione në pistat e hetimit. Deri tani janë vjedhur të paktën 7 vetura të tipit Golf 5, dhe të gjitha në territorin e komunës së Çairit.

Vjedhje të makinave ka pasur edhe në vitin 2018, por asnjëherë të organizuara vetëm ndaj një tipi të caktuar makinash, sikurse tani.

Marketing