Idrizova problem me narkomanët

Rreth 150 persona që vuajnë dënime me burg në burgun e Idrizovës, e që janë të varur nga substancat narkotike, vazhdojnë të paraqesin problem serioz për këtë Institucion ndëshkuese përmirësues (INP). Pavarësisht se me këtë institucion deri më tani kanë udhëhequr drejtorë të ndryshëm, asnjëri prej tyre nuk ka arritur të gjej formulën përfundimtare se si të zgjidhet problemi me të këtë kategori të të burgosurve. Rasti i fundit, i cili u regjistrua në këtë burg ishte tentimi për ndezjen e repartit ku janë të vendosur të burgosurit që pranojnë terapi metadoni. Si rezultat i intervenimit të shpejtë të Njësive të zjarrfikësve, flaka e zjarrit është lokalizuar shpejtë dhe një pjesë e tavanit të ndezur në burgun e Idrizovës është shuar.

Marketing

Zëvendësdrejtori i burgut të Idrizovës, Femi Jonuzi, për gazetën KOHA, thotë se zjarri i fundit në Idrizovës është izoluar menjëherë, gjegjësisht dy prej të burgosurve të përfshirë në këtë skenar (pranues të terapisë së metadonit) janë vendosur në dhomat e vetmisë.
“Po ashtu, i burgosuri i fundit i cili ndërroi jetë gjatë vikendit vjen nga kjo kategori e të burgosurve që janë pranues të terapisë së metadonit. Pas pranimit të terapisë, i ndjeri me vetë dëshirë ka pranuar barna, ka konsumuar ilaçe më tepër se sa duhet dhe si rezultat i mbidozës, ai ka ndërruar jetë. Për arsye gati të njëjta, si pasojë e mbidozës – javë më parë ndërroi jetë edhe një i burgosur tjetër”, shprehet Jonuzi, i cili shton se për të gjitha ngjarjet në Idrizovë, me kohë informohet institucionet përkatëse siç është MPB, Prokuroria Publike, Instituti i mjekësisë ligjore e kështu me radhë.

Në mesin e shumë vërejtjeve që i dedikohen burgjeve në Maqedoni, pa dyshim janë kushtet në të cilët të burgosurit i vuajnë dënimet e tyre. Ndërkohë, edhe pse shqiptimi i masave ndëshkuese sipas normave ligjore parashihet të jetë një masë për risocializimin e të burgosurve, në sistemin penitenciar në Maqedoni, vite me radhë mungon koncepti i shëndoshë i risocializimit. Ky qëndrim ndonëse theksohet në çdo raport të Avokatit të Popullit dhe organizatave tjera për të drejtat të njeriut, më mirë mund të vërehet nga numri i lartë i të burgosurve recidiv (përsëritës të veprave penale).

Me qëllim zbutjen dhe përmirësimin e kushteve të të burgosurve, vitin e kaluar në burgun e Idrizovës u hap godina e re, ku deri më tani janë vendosur një pjesë e të burgosurve. Megjithatë, në këtë pjesë të burgut, siç njoftojnë nga udhëheqësia e këtij burgu, ka ende hapësirë për vendosjen e të burgosurve tjerë.

“Ambulanca e burgut javë më parë u furnizua me batanije dhe pajisje tjera, të cilët kryesisht janë në shërbim të të burgosurve që janë pranues të terapisë së metadonit. Brenda kohës po bëhet përpjekje për përmirësimin e kushteve në përgjithësi. Pjesa e re e burgut të hapur tashmë është lëshuar. Gjatë javëve në vazhdim do të fillojmë me transferimin e burgosurve tjerë në pjesën gjysmë të hapur. Me këto veprime mendojmë të krijojmë më tepër hapësirë për të burgosurit tjerë që do të mbesin në pjesën e mbyllur të burgut”, thekson për KOHA, Jonuzi.
Ndryshe, në shkurt të vitit të kaluar, Parlamenti i Maqedonisë e miratoi Ligjin për amnisti të një pjesë të të burgosurve. Ky proces i amnistisë i përfshiu mbi 800 të burgosur, një pjesë e të cilëve u lirua plotësisht dhe pjesës tjetër të të dënuarve dënimet ju zvogëluan për 30 për qind. Sidoqoftë, edhe pse kjo masë e Qeverisë ndikoi në shkarkimin e burgjeve, sipas njohësve të rrethanave, institucionet relevante duhet në vazhdimësi të përcjellin situatën në Institucionet Ndëshkuese Përmirësuese. (koha.mk)