Iftari tradicional në Çair mblodhi bashkë gjithë komunitetet

Nën qiell të hapur dhjetëra banorë, të ri e të moshuar, u mblodhën ta bëjnë iftarin e përbashkët në Çair. Qëllimi i organizimit të iftarit është që të gjithë fqinjtë e lagjes të hanë një darkë të përbashkët pa dallim kombësie apo feje. Banorët nëpërmjet këtij iftari bartin mesazhin e solidarizimit që edhe më shumë t’u ndihmohet fqinjëve të cilët kanë nevojë.

Marketing

“Jeta është dinamike. Ndonjëherë fqiun nuk e shef me ditë të tëra. Secili me brengat e veta. Kjo është simbolika e iftarit që të bëhen të gjithë njerëzit bashkë. Këtu mundeni me pa muslimanë e të krishterë, edhe shqiptarë, boshnjak, turq. Çairi kjo lagjja këtu është konglomerat i bashkësive të ndryshme etnike dhe ky rast është shumë i mirë të bëhemi bashkë dhe të bëjmë iftar”, deklaroi, Bekim Laçi, banor i Çairit.

“Qëllimi është që ti afrojmë njerëzit, dhe të tregojmë bashkëjetesën në Çair. Nuk ka rëndësi se cili komb është nëse është maqedonas, shqiptarë ose turq, ne duam të jetojmë së bashku në këtë mjedis dhe të luftojmë për të. T’i mësojmë fëmijët tanë në këtë mjedis për të jetuar. Ne nuk kishim mundësi të jetonim kështu në komunizëm, ku gjërat e tilla ishin të ndaluara. Të paktën tani, fëmijët tanë të mësojnë se çfarë është bashkëjetesa dhe si duhet të jetohet”, tha Tamir Ibrahim.

Hoxha i Xhamisë në Çair Avni Hasani tha se Ramazani bart me vete mesazhin e sensibilizimit dhe solidarizimit me ata që vuajnë për bukën e gojës.
“Është një gëzim i madh kur sheh shumë fytyra të buzëqeshura dhe të gëzuara në prag të iftarit. Shpresoj se ky organizim do të vazhdojë më tutje”, theksoi Avni Hasani, hoxha i xhamisë Çair.

Përndryshe në këtë rrugë, sofra e iftarit shtrohet 3 vite me radhë. Organizatorët thonë se kjo traditë nuk do të shuhet. Shpresojnë që fëmijët e tyre ta bartin këtë traditë edhe për gjeneratat e ardhshme.

Marketing