Imami kërkon ndihmë për rindërtimin e xhamisë së djegur në Vërzhallë

Dy javë më parë Xhamia e sapondërtuar në fshatin Vërzhallë të Shkupit u kaplua nga flakët. Edhe pse një pjesë e saj u shkrumbua, imami i kësaj xhamie beson se me ndihmën e vullnetmirëve do ta rindërtojnë sërish xhaminë.

Marketing

Tv21 vizitoi xhaminë. Për dallim nga hera e parë, kësaj here imami nuk ishte i dëshpëruar. Ai para kamerës sonë falënderoi të gjithë ata që kanë donuar aq sa kanë pasur mundësi për rindërtimin e xhamisë.

“Dëm kemi shumë, por i lusim për ndihmë vëllezërit tanë besimtarë në qoftë se kanë mundësi. Të gjithë në këtë rrethinë e dinë se kush është ky fshat edhe sa banorë ka dhe e dinë që nuk kemi mundësi. Por presim prej vëllezërve tanë të dalë diçka. Elhamdulilah deri më sot gjithnjë besimtarët kanë ndihmuar për ndërtimin e xhamive”, tha imami Rexhep Zendeli.

Punimet për rinovimin e xhamisë kanë filluar. Imami tha se ka folur me mjeshtrit dhe se 1,500 eurot që kanë tubuar nuk u mjaftojnë, sepse sipas imamit xhamia ka dëme të cilët duhet të sanohen.

“Deri më tani që na kanë pru nga pak, janë tubuar diku 1 mijë e ca euro deri më sot, dhe punëtorët ia kanë filluar punës, por dy apo tre ditë nuk kemi pasur rrymë”, shtoi imami.

Imami thotë se pas bisedimeve me mjeshtrin që ka filluar me rindërtimin e xhamisë është konstatuar se nevojiten rreth 5.000 euro për sanimet e tërësishme të demit. Edhe banorët shpresojnë tek njerëzit e mirë që përfundimisht ta rikthejnë në gjendjen e mëparshme këtë xhami. Imami pohon se nga Bashkësia Fetare Islame nuk e kanë vizituar ende por se i kanë premtuar që një ditë do ta vizitojnë.

Marketing