Arsyeja e adresimit tim të menjëhershëm është përpjekja për të privatizuar një
datë të ndritshme të historisë shqiptare. 23 vjet më parë u shkrua një kapitull i ri
në historinë e Maqedonisë, kur u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit.
Për mua, si vajza e Imer Imerit, njërit prej nënshkruesve të kësaj marrëveshjeje
historike, kjo paraqet shumë më tepër se një dokument politik. Është trashëgimia
e një brezi që luftoi për një të ardhme më të mirë dhe një shoqëri të përbashkët.
Ndihem е indinjuar kur shoh që një datë e cila duhet të na bashkojë është duke u
përdorur për interesa të ngushta partiake.
Menjëherë pasi i dërguam zyrtarisht ftesat, përfshirë edhe për BDI-në, Ali Ahmeti
vendosi ta devalvojë festën shtetërore dhe institucionale të ditës së nënshkrimit
të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit me një festë private. Në emër të personazhit dhe
veprës së babait tim, shfrytëzoj rastin t’i drejtohem personalisht zotit Ali Ahmeti.
Askush nuk ka të drejtë të privatizojë përfitimet për shqiptarët nga Marrëveshja
Kornizë e Ohrit. Prandaj ju bëj apel që të mos bëni përçarje mes popullit tonë. Të
gjithë duhet ta respektojmë këtë ditë me respekt. Synimet tuaja janë
transparente dhe lexohen paraprakisht.
Patriotizmi shqiptar assesi nuk duhet të shfrytëzohet si mburrojë për mbrojtjen e
krimit dhe politikanëve të pandershëm. Dëshmorët, invalidët dhe luftëtarët e
gjallë të UÇK-së, si dhe nënshkruesit e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Imer Imeri
dhe Arbën Xhaferi, kishin qëllime të sinqerta dhe nuk luftuan dhe punuan për
tenderë të montuar dhe pasurime personale.
Mos e përdhosni 13 gushtin 2001. Data që që solli paqe, tani e përdorni 23 vjet
më vonë për përçarje mes popullit shqiptar, vetëm për arsye se jeni në opozitë.
Unë sinqerisht shpresoj që ju të rishikoni vendimin tuaj dhe të pranoni ftesën në
vend të një eventi feste për të marrë pjesë në festën shtetërore të kësaj date të
rëndësishme.