Imuniteti i deputetit shpëton Gruevskin nga burgu

Edhe pse Gjykata Penale e dënoi me dy vjet burg për korrupsion në rastin “Tanku”, ish -kryeministrin Nikolla Gruevski e shpëtoi nga prangat imuniteti i deputetit.

Marketing

Kodi penal në kushtetutën e Republikës së Maqedonisë parashikon se “Deputeti nuk mund të dërgohet në paraburgim pa miratimin e Kuvendit, vetëm në qoftë se kapet gjatë kryerjes së ndonjë vepre penale për të cilën parashikohet burg prej të paktën pesë vitesh”.

Megjithatë, ish-kreu i partisë më të madhe opozitare në vend, VMRO-DPMNE, do të gjykohet edhe për të paktën katër raste të tjera për mashtrime zgjedhore, shfrytëzim tenderash, porositje të dhunës ndaj zyrtarëve të LSDM-së dhe vepra të tjera. Ish-kryeministri Gruevski nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit një ditë më parë, por u përfaqësua nga avokatët e tij.

Në një reagim në facebook pak orë pas marrjes së dënimit, ai i bëri thirrje mbështetësve të tij “të mbajnë kokën lart, sepse Maqedonia është vendi i qytetarëve.”

VMRO-DPMNE , me anë të një reagimi për media dënoi vendimin e gjykatës, duke e quajtur atë politik, ndërsa deputetët e VMRO, në shenjë proteste braktisën seancën në Kuvend.

Dosja hetimore e quajtur “Tanku” lidhet me blerjen e Mercedesit luksoz me vlerë 600 mijë euro për llogari të ish kryeministrit Gruevski. Dje për të njëjtin rast u dënua me 6 vite e 6 muaj burg, edhe ish-zv/ministri i punëve të brendshme në atë kohë, Gjoko Popovski ndërsa më 28 maj pritet vendimi për ish-ministren e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska.

Marketing