Imunizimi kundër gripit sezonal, prej të hënën vaksinim në shtëpitë e të moshuarve

Prej të hënën shtëpitë për përkujdesjen e të moshuarve në kryeqytet nisin vaksinimin masiv falas kundër gripit sezonal. Të gjitha përgatitjet e ekipeve mjekësore janë gati që ata të nisin imunizimin e personave në moshë, njoftojnë nga Qendra Shëndetësore – Shkup.

Marketing

Nga ky institucion bëjnë me dije se vaksinimi do të kryhet nga ekipe mobile sipas të gjitha standardeve dhe protokolleve.

“Ata janë një kategori e cenueshme e qytetarëve. Ata duhet të mbrohen nga gripi sezonal. Ekipet mobile janë plotësisht të përgatitura dhe sipas të gjitha standardeve dhe protokolleve do të kryejnë imunizimin.”,- njoftojnë nga Qendra Shëndetësore – Shkup.

Krahasuar me vitet e kaluara, në këtë periudhë pandemie nga Covid-19, interesimi i qytetarëve për t’u mbrojtur nga gripi sezonal është më i madh. Vaksinimi në Qendrën Shëndetësore Shkup zhvillohet në 6 poliklinika: Gjorçe Petrov, Bukuresht, Çair, Bit Pazar, Çento dhe Jane Sandanski.

Në të gjitha pikat e Qendrës Shëndetësore – Shkup, vaksinimi zhvillohet pa probleme edhe të shtunën. Për t’u vaksinuar nevojitet rekomandim nga mjeku amë duke caktuar termin nëpërmjet Termini im në orët e pasdites.

Marketing