Incidenti i pazakontë në Britani, piloti ngatërron të majtën me të djathtën

Një incident i pazakontë ndodhi në Aeroportin Gatwick të Britanisë së Madhe ku një avion u detyrua të anulonte nisjen pasi piloti i dytë ngatërroi dorën e majtë me të djathtën, çka çoi në një situatë emergjente në pistë.

Marketing

Hetuesit nga Agjencia e Hetimeve të Aksidenteve Ajrore raportuan se gabimi i pilotit bëri që levat e avionit Boeing 777 të manovroheshin në drejtim të gabuar, duke reduktuar shtytjen pikërisht në momentin kur kapiteni kishte dhënë komandën për ngritje. Edhe pse për një moment avionit iu rikthye shpejtësia, procesi i ngritjes u ndërpre plotësisht dhe avioni u ndal para fundit të pistës, sipas medias vendase.

Nga incidenti nuk pati të lënduar, por frenat e mjetit u përfshinë nga zjarri dhe u desh ndërhyrja e zjarrfikësve të aeroportit për të vënë situatën nën kontroll. Si pasojë, pista u mbyll për rreth 50 minuta dhe u anuluan 23 nisje të tjera nga aeroporti.

Në bord ndodheshin 334 pasagjerë dhe 13 anëtarë të ekuipazhit. Sipas raportit të AAIB, mëngjesi kishte qenë i zakonshëm dhe nuk kishte ndonjë faktor që të sugjeronte shpërqendrim apo ngarkesë pune për pilotët.