Incidenti në Kuvend, Talat Xhaferi ftoi në koordinim shefat e grupeve parlamentare, opozita e bojkotoi

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sot pasdite ka thirrur një koordinim urgjent në të cilin janë ftuar të gjithë koordinatorët dhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvend.

Marketing

Ftesës iu përgjigjën koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski, nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski dhe deputetja e Alternativës, Safije Sadiki Shaini.

Edhe pse të ftuar ishin edhe përfaqësuesit e partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleancës së Shqiptarëve ata nuk morën pjesë.

Kryetari i Kuvendit e thirri koordinimin pasi anëtarët e opozitës VMRO-DPMNE, pas dy orësh me vërejtje procedurale, kundërshtuan votimin e rendit të ditës të Komisionit për Çështje Evropiane, i cili megjithatë u votua.

Në koordinim u konstatua se Rregullorja e Kuvendit ofron të gjitha mundësitë për punën e Kuvendit dhe nuk lejon dhunë në asnjë formë. Koordinimi konstatoi gjithashtu se vetë qytetarët do të gjykojnë nga regjistrimet që po qarkullojnë në rrjetet sociale që shkaktuan incidentin e Komisionit për Çështje Evropiane.

“Dhuna ndaj kryesuesit të një seance të trupit punues të Kuvendit nuk lejohet as në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, kanë thënë ata.