Përderisa në Gjykatën Penale këto ditë zhvillohet procesi gjyqësor “Reket”, në Youtube u paraqit incizim i ri audio ku dëgjohet zëri i njërit nga dëshmitarët e këtij rasti, për të cilin PPS në një nga lëndët ka ngritur aktakuzë. Incizimet janë lëshuar dje, me kohëzgjatje prej dhjetëra sekondave, ndërsa tani për tani është i panjohur bashkëbiseduesi me të cilin bisedon dëshmitari i rastit “Reket”. Në një prej tyre dëgjohet se si ai kërkon kontakt me Vice Zaev dhe kërcënon që nëse nuk i mbron punë do të bombardojë me materiale në Bullgari.
Nga MPB thonë se në lidhje me këto incizime të reja, ata nuk kanë kompetenca për momentin dhe se Prokuroria publike duhet të hetojë dhe të vendos se a do të ngrit procedurë.
Edhe nga Prokuroria thonë se çdoherë ndjekin nëse është bërë ndonjë vepër penale dhe veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre. Shefja e Prokurorisë për parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Villma Ruskoska, thotë se këto biseda nuk janë pjesë e provave të dorëzuar në Prokurori, ndërsa paralajmëroi se do të ngritin hetim për të njëjtat.
Dje në Gjykatën Penale, për rastin “Reket” dëshmoi biznesmeni Orce Kamçev, ndërsa të martën si dëshmitare duhet të paraqitet edhe gruaja e tij, Ana Kamçeva. Në rastin “Reket” deri më tani është sjellë aktvendim për të akuzuarin e tretë Zoran Milevskin, të cilit iu shqiptuan dënim me 3 vite burg./tv21/