Të paktën një person ka humbur jetën, ndërsa 227 janë shtruar në spital për shkak të një sëmundjeje misterioze që preku shtetin jugor të Indisë, Andhra Pradesh. BBC raporton se pacientët kanë pasur simptoma të ndryshme nga të përzierat e deri tek gjendja e të fikëtit.
Zyrtarët kanë filluar hetimet në lidhje me shkaqet e kësaj sëmundje, e cila ka frikësuar banorët e qytetit Eluru gjatë fundjavës.
Kjo sëmundje është shfaqur në një kohë ku India po përballet me shifra të larta të personave të infektuar me koronavirus.
Shteti Andhra Pradesh, ku u shfaq sëmundja misterioze është një ndër vendet më të prekur nga pandemia Covid-19. Ky shtet ka regjistruar më shumë se 800 mijë raste.
Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Alla Kali Krishna Srinivas, tha se të gjithë pacientët e shtruar në spital ishin testuar dhe kishin rezultuar negativë për koronavirus.
“Njerëzit që u sëmurën, veçanërisht fëmijët, papritmas filluan të kishin të vjella pasi u ankuan për djegie të syve. Disa prej tyre u ra të fikët”, njoftoi një mjek.
70 pacientë kanë dalë nga spitali, ndërsa 157 vijojnë të marrin ende ndihmë mjekësore.
Ministri i Shëndetësisë tha se në zonë do të dërgohen ekipe të posaçme mjekësore për të zbuluar se çfarë ka ndodhur. Nga analizat e para të gjakut të pacientëve nuk bëhet fjalë për ndonjë infeksion viral.