India ka raportuar të premten shifër enorme të të infektuarve me koronavirus, në kohën kur vendi po përballet me dështim në procesin e vaksinimit.
Gjatë 24 orëve të fundit, shteti me popullsinë e dytë më të madhe në botë ka konfirmuar mbi 131 mijë të infektuar të rinj dhe 780 të vdekur – shifër kjo më e lartë që prej tetorit të vitit 2020.
Numri i përgjithshëm i rasteve në Indi të premtes ka shkuar në 13 milionë. Disa shtete indiane kanë zgjeruar masat e izolimit për ta vënë nën kontroll përhapjen e madhe të koronavirusit.
Kthimi i punëtorëve migrues me trenat e stërmbushur ka ngritur rrezikun e përhapjes së virusit edhe në qytetet më të vogla.
Për ngritjen e jashtëzakonshme të rasteve Qeveria ka fajësuar mosrespektimin e masës së distancës fizike dhe mosbartjen e maskave, kur gradualisht i liroi masat gjatë vitit të kaluar.