Më 15 prill 2008, familja Shabnam në një fshat në shtetin verior indian të Uttar Pradesh, u trondit nga një vrasje makabër.
Vajza e shtëpisë vrau duke i prerë kokën dy vëllezërve të saj, nënës, babait, kunatës dhe kushëririt 14-vjeçar. Nipi i saj i vogël, që më vonë do të zbulohej i vdekur, dukej se ishte në gjumë midis trupave të prindërve të tij.
Çështja mori vëmendjen e botës – jo vetëm që Shabnam vrau shtatë nga anëtarët e familjes së saj, duke përfshirë një fëmijë 10 muajsh, por ajo ishte tetë javë shtatzënë në atë kohë. Shabnam dhe i dashuri i saj, Saleem, u shpallën fajtorë për vrasjet dhe u dënuan me varje.
Nëse ajo ekzekutohet, Shabnam do të jetë gruaja e parë që i jepet dënimi me vdekje në Indi që nga viti 1955.
Por me ekzekutimin e saj që po afron, ekipi ligjor i Shabnam po përpiqet ta ndalojë atë – dhe po argumenton se ajo është gjithashtu një viktimë. Avokatja Shreya Rastogi ka thënë se klientja e saj, e cila kurrë nuk e ka pranuar krimin, është një viktimë e një shoqërie patriarkale që e vendos kastën mbi të gjitha.
Përveç njerëzve që vdiqën atë natë, krimi i çiftit krijoi një viktimë tjetër — djalin e tyre, Bittu, të cilin Shabnam e lindi në burg para se ta dorëzonte në jetimore.
Tani, Bittu 12-vjeçar, i ka bërë thirrje presidentit indian Ram Nath Kovind për t’i treguar nënës së tij mëshirë.