Zyrtarët qeveritarë të Indonezisë kanë thënë se të paktën 168 persona kanë vdekur dhe 745 janë lënduar pasi një cunami e goditi bregdetin e Ngushticës së Sundas. Agjencia shtetërore për menaxhimin e emergjencave ka deklaruar se qindra ndërtesa janë dëmtuar nga kjo fatkeqësi natyrore.
Besohet se shkaktare e këtij cunami ishte lëvizja e shtresave të tokës në det pas shpërthimit të vullkanit “Krakatoa”. Ngushtica e Sundas gjendet mes Detit Java dhe Oqeanit Indian. Agjencia shtetërore për menaxhimin e emergjencave ka thënë se numri i vdekjeve ka gjasë që të rritet. Numri më i madh i vdekjeve është raportuar në rajonet Pandeglang, Lampung dhe Serang.
Oystein Lund Andersen, fotograf norvegjez i vullkaneve, i cili ndodhej afër zonës së goditur, ka thënë se vullkani ka nxjerrë shumë lavë para se valët e fuqishme të detit të ngriheshin. “Më herët vullkani ishte shumë aktiv por disa çaste para valëve, gjithçka ishte e qetë. Papritmas i pashë valët e larta dhe u detyrova të vrapoj. Drejt tokës erdhën dy valë, e para ishte më e dobët, ndërsa e dyta më e madhe”, tha ai.
Shkaqet e cunamit janë ende duke u hetuar. Eksperti i vullkaneve, Jess Phoenix, i ka thënë BBC-së se shpërthimi i vullkanit shkakton shtypje ndaj shtresave nëntokësore dhe kjo mund ta nxisë lëvizjen e shtresave. Rrjedhimisht, toka e detit e trazon ujin dhe krijon valë të larta. Në anën tjetër, agjencia gjeologjike e vendit ka kërkuar që askush të mos i afrohet vullkanit në largësi më të vogël se dy kilometra, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.