Së paku një person ka humbur jetën, ndërsa 17 të tjerë janë arrestuar në një aksion kundër trafikimit të narkotikëve në Indonezi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia indoneziane njoftoi se shkatërruan “një zinxhir në tentimin e trafikimit të më shumë se 2,5 tonëve metamfetaminë me origjinë nga Afganistani”.
Më 10 prill, policia gjeti 1,278 ton në një anije që u ankorua në rrethin Aceh Besar. Pesë ditë më vonë, policia sekuestroi edhe 1,267 ton nga rrethi Aceh Barat, tha shefi i Policisë kombëtare indoneziane, Listyo Sigit Prabowo.
Ai tha se një nga të dyshuarit u vra gjatë arrestimit. Midis të dyshuarve ishte një nigerian, ndërsa të tjerët ishin indonezianë.
Rrjeti i trafikantëve në Aceh është i lidhur me gjashtë persona që aktualisht vuajnë dënimin, tha Agus Andrianto, kreu i Departamentit të Hetimit Penal.
Ai tha se njerëzit nga Afganistani, Nigeria dhe Malajzia janë të përfshirë në rrjetin e trafikimit të narkotikëve.
Indonezia ka ligje shumë të rrepta kur bëhet fjalë për drogën. Më shumë se 150 njerëz janë dënuar me vdekje, kryesisht për krime të lidhura me narkotikët, dhe rreth një e treta e tyre janë të huaj.