Çdo ditë verifikohen më shumë se një milion raste të reja të të prekurve nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. 4 infeksionet më të përhapura janë klamidia, gonorrea, trikomoniaza dhe sifilizi, ku të dhënat e publikuara së fundmi nga OBSH tregojnë se 1 në çdo 25 njerëz në të gjithë botën janë të prekur nga të paktën një nga këto IST.
“Këto infeksione tregojnë se njerëzit po rrezikojnë shëndetin e tyre, jetën seksuale dhe shëndetin riprodhues”, thotë Dr. Melanie Taylor, autore kryesore e këtij studimi.
Sipas OBSH-së, verifikohen më shumë se 370 milionë raste të reja çdo vit, ku të dhënat përfaëqosjnë rastet, jo njerëzit, pasi një njeri mund të preket nga disa IST, ose mund të riinfektohet brenda një viti me një ose më shumë IST.
IST-të janë infeksione që transmetohen nëpërmjet kontaktit seksual vaginal, anal ose oral pa masa mbrojtëse me dikë që ka një IST. Disa IST mund të kalohen nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë ose lindjes së fëmijës, si klamidia, gonorrea dhe sifilizi. Sifilizi mund të transmetohet edhe nga rënia në kontakt me gjakun e infektuar.
Nëse lihen pa trajtuar, këto infeksione mund të kenë pasojë të rënda, si infertilitet tek burrat dhe gratë, abort spontan, shtatzënie ektopike dhe rritje të rrezikut për HIV.
Edhe pse të gjitha këto infeksione mund të trajtohen me antibiotikë, mungesat në furnizimin me penicilinë enzathine kanë vështirësuar trajtimin e sifilizit, thotë WHO.
“Infeksionet seksualisht të transmetueshme janë kudo, janë më të përhapura seç mund ta mendojmë, megjithatë IST-ve nuk iu është kushtuar mjaftueshëm vëmendje”, thotë Dr. Teodora Wi, oficere mjekësore e IST-ve në Departamentin e Shëndetit Riprodhues dhe Kërkimeve te OBSH.
Wi sugjeron që të gjithë sektorët duhet të bëhen bashkë për të luftuar këto infeksione, për shembull, duke inkurajuar më shumë edukimin seksual nga prindërit dhe mësuesit, vendimmarrësit të mbështesin më shumë qendrat që ofrojnë shërbime lidhur me shëndetin seksual dhe riprodhues, veçanërisht IST, dhe shkencëtarët të punojnë më shumë në zhvillimin e metodave më të mira për parandalimin, diagnozën, trajtimin dhe kontrollin për IST-të.