Shtrenjtimet e mëdha dhe rritja e kostos së jetesës ka shtyrë pensionistët në vend të kërkojnë rritjen e pensioneve. Ato kërkojnë rritjen lineare të pensioneve për 3500 denarë, si dhe pension minimal prej 18 mijë denarë. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se do t’i shqyrtojë të gjitha kërkesat e pensionistëve dhe së bashku dhe në dialog me Lidhjen e Pensionistëve do të krijojë politika dhe masa të mëtejshme për pensionistët me theks të veçantë për ata me pensione më të ulëta, dhe në drejtim të ofrimit të një jetë të denjë për të gjithë qytetarët.
Ish-kryetari i Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve, Dragi Argirovski thekson se një numër i madh i pensionistëve janë në buzë ekzistencës, inflacioni dukshëm ka dobësuar standardin e tyre, andaj edhe duhet të përmirësohen kushtet e jetesës së tyre. Për më tepër shton se pensionet janë rritur me 6 për qind, përderisa pagat e funksionarëve janë rritur me 78 për qind, duke shtuar se një nga shkaqet kryesore të pensioneve të ulëta është edhe pamundësia e pensionistëve të dëshmojnë përvojën e tyre të punës apo stazhin. Sipas tij duhet të shqyrtohet edhe një farë përafrimi ndaj pensioneve më të larta, me një shpërndarje të duhur nga Fondi Pensional, duke marrë parasysh edhe dallimin e madh prej 1 me 6 të pensionit më të ulët karshi atij më të madh që më parë si raport ishte 1 me 3.
Nga ana tjetër, analizat tregojnë se pensionistët me pensione më të ulëta do të marrin rreth 700 denarë plus në llogarinë e tyre, me rritjen e parashikuar në shtator. Nga afër 334 mijë pensionistë, 94.000 prej tyre marrin pension në grupin e parë, ku përfshihen pensionistët deri në 13 mijë e 300 denarë.
Njëherësh të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 60 mijë pensionistë marrin pensione deri në 16 mijë denarë. Apo me fjalë tjera gati gjysma e pensionistëve marrin pensione deri në 16 mijë denarë.
Nga Ministria e Punës konsiderojnë se kërkesat për rritje lineare të pensioneve janë jo të drejta dhe kundër kushtetuese.“Dikush që ka punuar 40 vjet dhe dikush që ka punuar 15 vjet nuk mund të marrë të njësoj. Unë jam për drejtësi dhe drejtësi sociale. Nuk mund të barazojmë dikë që ka kaluar 40 vjet, qoftë në një makinë, qoftë në institucion shtetëror, me dikë që ka punuar 15 vjet. Tani po protestojnë ata me pensionin më të ulët, pastaj do të vijnë ata që marrin pensione 17 mijë denarë dhe 18 mijë denarë. Si do ta mbyllim atë rreth“, thotë ministrja Trençevska. Sipas saj, një rritje joreale e pensioneve mund të rrezikojë edhe stabilitetin e Fondit Pensional dhe pagesën e rregullt për çdo muaj të pensioneve, ndërsa një rritje prej 3500 denarë për të gjithë do të kushtonte afër 220 milionë euro në vit. “Për vetëm një vit e tetë muaj të kësaj përbërje qeverie, pensionet u rritën me 24 për qind. Pensioni minimal ishte 9.000 denarë, sot është 12.500 denarë, që është një rritje prej 3.500 denarë. Ne kemi krijuar një sistem në të cilin pensionet po rriten vazhdimisht. Kur e prezantuam këtë metodologji, të gjithë pensionistët ishin të kënaqur. Askush nuk protestoi. Është e qartë se kush qëndron pas organizimit të këtyre pensionistëve kur sheh Këshillin Iniciativ se janë anëtarë të një partie politike opozitare”, thotë ministrja Trençevska.
Ndryshe, ndër kërkesat e pensionistëve janë edhe dyfishimi i kompensimit për kujdesin e dikujt tjetër, rritjen e kompensimit për ndihmë sociale për personat që kanë mbetur të papunë deri në realizimin e të drejtës për pension, ngritjen e nismës për ndryshimin e Ligjit për sigurimin pensional dhe përcaktimin e pensionit më të ulët sipas pagës mesatare dhe shpenzimeve të jetesës. Gjithashtu, është kërkuar që në listën pozitive të shtohen edhe barnat për të sëmurët nga zemra, të sëmurët me diabet dhe sëmundjet e rralla. (koha.mk)