Iniciativa viziton strehimoret e qenve endacak: Gjendja alarmante!

Iniciativa qytetare për Gostivarin nisi aktivitetet e veta me të vetmin qëllim që të lokalizojë problemet që preokupojnë banorët e Komunës së Gostivarit, me qëllim që të gjindet zgjidhje për menjanimin e tyre.

Marketing

Një nga problemet e shumta që paraqesin shqetësim për banorët e Gostivarit, pa dyshim se është prania e pakontrolluar e qenve të pastrehë.

Duke mos patur qëllim që të akuzojmë apo të flasim pa patur argumente, Iniciativa vendosi që komunikimin me qytetarët përmes mediumeve ta bëjë nga vendi i ngjarjes, ku dhe shihet situata reale me funksionimin e strehimoreve për qentë e pastrehë.

Nuk duam të heqim apo të shtojmë asnjë elemente nga realiteti në terren. Siç mund të vëreni situata është alarmante. Bashkërisht mund të konstatojmë që strehimoret e proklamuara nga udhëheqësia komunale janë jo funksionale.

Stehimoret janë pothuajse bosh, qenve nuk u sigurohet as ushqim, e aq më pak kujdes mjekësor apo kushte higjienike.

Ne si Iniciativë angazhohemi të ofrojmë zgjidhje me rezultate konkrete sa më shpejt të jetë e mundur.

Vizioni ynë lidhet me domosdoshmërinë e zgjidhjes së këtij problemi duke filluar nga plani aksional për menaxhimin e qenve të pastrehë, riadaptimi i Qendrës për trajtim human të tyre, për socializimin dhe kujdes mjekësor veterinar.

Evidentimi dhe mbikqyrja e vazhdueshme e ecurisë së tyre, mbledhja dhe trajtimi, do arrihet përmes lehtësimit të vështirësisë me pajisjet e reja që do sigurohen me mjetet buxhetore nga shpenzimet publike dhe Donatorë të jashtëm, të cilët tashmë janë ofruar për të dhënë kontributin e tyre.

Jashtë qëllimit për të fajësuar apo amnistuar ndonjë funksionar, prioritet i yni mbetet interesi i banorëve të Gostivarit, prandaj dhe ndodhemi këtu për të prezantuar moszgjidhjen e problemit me qentë e pastrehë.

Ne nuk jemi këtu për të bërë gjykim dhe as për të kërkuar llogari nga askush. Ne jemi këtu për të kërkuar zgjidhje. Politikë le të bëhet në Kuvend, në selitë e partive politike dhe në vende të tjera të duhura.Kur flitet për brengat e qytetarëve duhet kërkuar zgjidhje dhe jo të shërbehemi me fjalorin politik.

Ne nuk jemi dakord me udhëheqësinë aktuale kur deklarojnë që është punuar shumë dhe janë bërë shumë investime për tejkalimin e problemit, pasi realiteti në terren flet ndryshe.

Për të krijuar pasqyrën reale, Iniciativa qytetare për Gostivarin që duam, do ë organizon peticion me qytetarët e Gostivarit, për t’i pyetuar ata nëse janë të kënaqur me gjendjen aktuale, dhe nëse shprehin gatishmërinë e tyre për të kontribuar në zgjidhjet e problemit me qentë e pastrehë.

Nga sot dhe në ditët në vijim, anëtarët e Iniciativës do të mirëpresin në zyrat tona banorët e Gostivarit, por do të dalim në terren për të realizuar peticionin.

Zëri i qytetarëve është më i sinqertë dhe më i saktë, dhe si i tillë mund të na shërben si udhërëfyes për zgjidhjen e problemeve.

Për në fund. Të nderuar përfaqësues të mediumeve ju faleminderit që iu përgjigjet pozitivisht ftesës sonë, por njëkohësisht ju kërkojmë ndjesë që u sollëm në një mjedis, për fat të keq, jo të pastër dhe me kundërmim të rëndë.

Ju faleminderit edhe njëherë.