Inicohet rast ndaj Robert Berishës për zhurmën në konvikt

Mirëpo edhe konviktet kanë rregullore për personat që qëndrojnë aty, njofton Klan Kosova

Marketing

Policia e Kosovës ka iniciuar një rast për mosrespektim të vendimeve në konvikt.

“Dje kemi pranuar një informacion për një incident që ka ndodhur në njërin nga konviktet, i cili po shfrytëzohet si karantinë në këtë periudhë. Pas përfundimit të fazës fillestare të hetimit në koordinim me Prokurorinë përkatëse është iniciuar një rast “Mosveprim sipas Udhëzimeve shëndetësore në kohë epidemie” nga neni 250 KPK. Me rastin po merren hetuesit policor nga stacioni Jugu në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Klan Kosova nga burime të veta merr vesh se në rast ishte përfshirë edhe këngëtari Robert Berisha, i cili tash e disa ditë po qëndron në Qendrën Studentore, pasi që kishte ardhur nga Turqia.

Berisha tregoi për klankosova.tv se nuk janë në dijeni për inicimin e rastit dhe se nuk kanë bërë muzikë me instrumente.

“Nuk jemi në dijeni meqë mbrëmë Policia nuk na kanë thënë asgjë, jemi shpërndarë nëpër dhoma dhe asgjë më shumë nuk dimë”.

“Mbrëmë kemi qenë duke kënduar pa instrumente, ka ardh dikush nga këta që shpërndajnë ushqim si dhe na kontrollojnë por ne nuk i njohim meqë janë me uniformë ku e kanë të mbuluar edhe fytyrën dhe ka thënë se në rast se nuk ndalemi do të dënohemi me qëndruar këtu edhe 3 muaj tjerë”.

“Ne nuk kemi bo fjalë dhe jemi shpërndarë nëpër dhoma, kaq ka pas”, deklaroi Robert Berisha.