Inspektorati Shtetërorë i Punës nuk ka kuadër të mjaftueshëm për të kontrolluar të gjitha rastet e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve nga ana e punëdhënësve. Sipas vendimit të Këshillit për mbikëqyrjen e këtij organi, inspektorët duhet të bëjnë vetëm një inspektim në ditë, në mënyrë që puna të realizohet më me profesionalizëm.
Ndërkohë që në këtë institucion, që qëllim ka mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, por edhe të punëdhënësit, paraqiten mbi 20 mijë raste në vit.
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Alajdin Havziu, thotë se në këtë institucion janë gjithsej 194 të punësuar, prej të cilëve 105 janë inspektorë, të shpërndarë në 30 rajone. Në ligj thuhet se të punësuar duhet të jenë 135 inspektorë, pra momentalisht mungojnë 30 inspektorë.
Në bazë të sistematizimit të vendeve të punës që ka kaluar para dy vjetësh, ne kemi vend për 135 inspektor. Mirëpo sistematizimin mund ta ndryshojmë në të ardhmen, varësisht nga kërkesa dhe volumi i punës.”- tha Alajdin Havziu, Drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Punës
Punësimet në sektorin publik duhet të aprovohen nga Ministria e Financave. Sipas drejtorit të Inspektoratit, në bazë të plan-programit për vitin 2019, i cili është miratuar, inspektoratit do t’i bashkohen edhe 10 inspektorë të rinj. Në bazë të inspektimeve, që ndahen në të rregullta dhe të veçanta, shihet nëse punëtori është i regjistruar, a i paguhen kontributet, nëse pagesa e rrogës realizohet brenda afatit të parashikuar me ligj dhe nëse palët i përmbahen ose jo kontratës.
Sipas, Alajdin Havziut, ankesat më të shumta janë rreth pagesës së regresit për pushim vjetorë, i njohur ndryshe si K-15. Sipas tij, janë të shumta denoncimet e bëra nga qytetarët se punëdhënësit e bëjnë këtë pagesë, por kërkojnë sërish nga punëtori që të njëjtën ta kthejnë kesh.
Megjithatë, edhe pse si Inspektorat këtë e kontrollojnë gjatë tërë vitit, ai thotë se mënyra e vetme që të mos bëhet një shkelje e tillë është rritja e vetëdijes së punëtorit. Sepse, siç shpjegon, inspektorati nuk vepron dot, pasi që një gjë të tillë nuk ka si ta vërtetojë.
Nëse k-15 nuk është paguar e obligon me vendim dhe ka afat ligjorë që punëdhënësi duhet të paguajë. Nëse në afat ligjor nuk e paguan, atëherë inspektori merr vendim për procedurë kundërvajtëse. Mandej lënda prej tek ne shkon në komision që është në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, mandej në komision të shkallës së dytë dhe mund të shkojë edhe në gjyq.” -tha Alajdin Havziu, Drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Punës
Në dy analizat e bëra nga Komiteti i Helsinkit, që analizojnë të drejtat e punëtorëve në tre vitet e fundit, thuhet se kënaqësia në mesin e qytetarëve nga ky lloj i mbrojtjes institucionale është jashtëzakonisht e ulët. Në mënyrë rrjedhimore, konkluzioni është se inspektoratet e punës nuk
gëzojnë besim në mesin e qytetarëve.