Inspektorati i tregut: Çmimet e produkteve bazë, 13% më lirë

Kompanitë nga sektori i ushqimit nuk mund të arsyetohen dhe do të duhet t’i ulin çmimet e produkteve të tyre prej minimum 10 për qind. Ky është mesazhi që ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi u ka dërguar sot kompanive që do të përdorin energjinë elektrike të subvencionuar nga shteti. Informacionet e tij janë se edhe lëndët e para që i blejnë nga jashtë kanë shënuar rënie dukshëm dhe për këtë, Bekteshi beson se qytetarët duhet ta ndjejnë dallimin e çmimeve nga 1 dhjetori. Deri në fund të javës së parë të dhjetorit, çmimet e ushqimeve duhet të ulen nga pesë deri në 13 për qind.

Marketing

“Ka trend të rënies së çmimeve, mendojmë se ka ende hapësirë ​​për uljen e çmimeve të produkteve për konsumatorët e fundit”, u shpreh Kreshnik Bekteshi- ministër i Ekonomisë.

Nga ana tjetër, inspektorët paralajmërojnë tregtarët që t’i respektojnë sa më shumë vendimet ligjore. Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut thotë se përpjekjet e tregtarëve për t’i anashkaluar rregullat për të përfituar më shumë, periudhën e fundit janë zvogëluar.

“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe çfarë ndodh në treg, Inspektorati Shtetëror i Tregut si më i madhi dhe më kompetenti do të jetë çdo ditë në terren për t’i mbrojtur të drejtat e konsumatorëve”, tha Aneta Simeska Dimoska- drejtoreshë e ISHT-së.

Rreth 1000 kompani të vogla dhe të mesme do të marrin energji elektrike për prodhimin e tyre nga 1 dhjetori me çmim prej 80 euro për megavat/orë. Kompanitë që do të nënshkruajnë marrëveshje me qeverinë do ta përdorin këtë çmim deri në fund të muajit prill./Alsat.mk