Inspektorati Shtetëror i Tregut: Gjoba deri 10 mijë euro për tregtarët që nuk respektojnë kufizimin e marzheve!

Sipas Ligjit për tregti dhe Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, gjobat për mosrespektim të këtyre dy vendimeve variojnë nga 500 deri në 10.000 euro, ndërsa të gjitha parregullsitë mund të paraqiten në 191 ose në www.dpi.gov.mk.

Pas publikimit të dy vendimeve të qeverisë në “Gazetën Zyrtare”, ato kanë hyrë në fuqi sot dhe do të jenë të vlefshme deri më 30 prill.

Sipas vendimit për kufizimin e marzhit bruto, marzhi është i kufizuar në 102 lloje produktesh ose mbi 1000 produkte ushqimore dhe joushqimore.

Në përputhje me Vendimin për përcaktimin e çmimeve më të larta për produkte të caktuara në tregtinë me shumicë dhe pakicë, çmimet më të larta janë përcaktuar për tetë grupet e produkteve ushqimore bazë (qumësht, bukë, miell, lloji 400 dhe lloji 500, vezë, vaj ushqimor, kos dhe qumësht i thartë), ku çmimet më të larta janë përcaktuar më 1 shkurt të këtij viti.

Shitësit me pakicë ishin të detyruar t’i etiketonin produktet e përfshira në vendime me mbishkrimin “Më pak kosto, më shumë për ju”.