Inspektorati Shtetëror i Tregut në Ohër, kallëzime penale kundër tre objekteve hotelierike

Pronarët e tre objekteve hotelierike në bregun e Liqenit të Ohrit morën kallëzime penale për shkak të mosrespektimit të dispozitave nga Protokolli për punë në kushte të epidemisë.

Marketing

Bëhet fjalë për dy subjekte hotelierike në plazhet 2 dhe 3 në auto kampin Gradishtë, si dhe objekti hotelierik “Egosit” i locuar në plazhin te ish hoteli “Park”.

Të gjitha kallëzimet penale janë parashtruar për shkak të mosrespektimit të pikave 2,3 dhe 4 nga Protokolli për punë në kushte të KOVID-19, ndërsa kanë të bëjnë për mosmbajtje të maskës nga vizitorët, mosmbajtjes së distancës mes tavolinave, karrigeve, shezlloneve si dhe mosrespektim të obligimit për dezinfektim të inventarit.

Prej mbrëmë në rrjetet sociale vazhdimisht po shpërndahen xhirime nga ahengjet e organizuara gjatë ditëve të kaluara, konkretisht në plazhin në Gradishtë, në të cilat shihet se si disa të rinj argëtohen pa i respektuar protokollet për mbajtje të maskës dhe mbajtjes së distancës fizike.

Ekipe të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, të Punës dhe të Ndërtimtarisë në bashkëpunim me policinë vazhdimisht janë në terren, duke tentuar që të vendosin rend në punën e hotelierëve, por edhe të atyre të cilët punojnë në të zezë pa leje adekuate dhe në mungesë të koncesionerëve të cilët do të menaxhonin me plazhet. Gjatë fundjavës janë parashtruar 17 denoncime për kundërvajtje kundër subjekteve të tilla edhe atë 12 në Ohër dhe pesë në Strugë.

Prania e inspektorëve në koncertin e këngëtarit kroat të mbajtur më 1 gusht në Teatrin Antik kontribuoi që në të njëjtin të respektohen masat e parapara për parandalim të përhapjes së virusit korona dhe nata kaloi sipas protokolleve.