Instagrami me veçori të reja

Instagram po sjell veçori të reja, duke përfshirë mundësinë e përkthimit të mesazheve në 99 gjuhë, opsionin për dërgimin e mesazheve në një kohë të caktuar deri në 29 ditë më vonë dhe shumë të tjera.

Marketing

Përveç këtyre, platforma po prezanton mënyra të reja për ndarjen e muzikës, mundësinë për të fiksuar deri në tre biseda në krye të DM-ve, si dhe QR Code për bisedat në grup.

“Me funksionin e ri të përkthimit të mesazheve të Instagramit, mund të komunikoni lehtësisht në mbarë botën pa u shqetësuar për barrierat gjuhësore. Pavarësisht nëse dëshironi të lidheni me të afërmit në Korenë e Jugut pas një kohe të gjatë ose me mikun tuaj më të mirë në Spanjë, tani mund të përktheni mesazhet e tyre direkt në DM-të tuaja”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Për të përkthyer një mesazh në një bisedë, thjesht mbani të shtypur mesazhin që është dërguar ose pranuar në një gjuhë tjetër dhe më pas klikoni “përkthe” (translate). Mesazhi i përkthyer do të shfaqet menjëherë poshtë mesazhit origjinal në bisedën tuaj, shpjegon Instagram.

Përveç kësaj, tani është e mundur të caktoni dërgimin e një mesazhi në një kohë të caktuar, gjë që është ideale për raste të veçanta, si për shembull të dërgoni një mesazh urimi për ditëlindje menjëherë pas mesnate, edhe nëse nuk mund të qëndroni zgjuar deri vonë.

Kjo veçori mund të përdoret gjithashtu për kujtesa për miqtë mbi detyrat dhe angazhimet e përditshme.

Përdoruesit mund të caktojnë kohën e dërgimit të një mesazhi duke shkruar tekstin, duke mbajtur të shtypur butonin “dërgo” (send), duke zgjedhur datën dhe orën për dërgimin e mesazhit dhe më pas duke shtypur “dërgo”.

Gjithashtu, është shtuar mundësia për të ftuar miqtë në biseda në grup përmes QR kodeve, si dhe funksione të reja për dëgjimin dhe ndarjen e muzikës, sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të kompanisë.