Institucionet e trashëgimisë kulturore të Republikës së Shqipërisë hapin dyert për studentët e Universitetit të Tetovës

Studentë të Fakultetit Pedagogjik, së bashku me disa profesorë të kësaj njësie akademike të Universitetit të Tetovës, ditë më parë e kanë vizituar Republikën e Shqipërisë. Dekani i këtij fakulteti, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi theksoi se vizitat e kësaj natyre janë pjesë e planeve dhe programit të punës mësimore-shkencore që realizohet gjatë një viti akademik në Universitetin tonë.
“Ne si fakultetet angazhohemi që planprogramin vjetor të veprimtarisë arsimore dhe shkencore ta zhvillojmë dhe realizojmë sikurse e kemi parashikuar. Vizita e fundit në Republikën e Shqipërisë ishte pjesë e këtij programi, ndërsa vizita u zhvillua me qëllimin e vetëm që studentët tanë të njihen për së afërmi me institucionet arsimore, monumentet historike dhe rolin e tyre në ruajtjen e vlerave tona kulturore”, u shpreh Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Ai, po ashtu deklaroi se, institucionet e arsimit, shkencës, objektet e trashëgimisë kulturore dhe veprat e artit janë atraksione turistike e sidomos për studentët që të njëjtat i shohin jo vetëm si destinacione turistike, por i shohin edhe me syrin e një studiuesi.
Vizita studimore e Fakultetit Pedagogjik në Shqipëri, nga studentët dhe mësimdhënësit e tyre u cilësua tejet e suksesshme, sidomos për itinerarin e saj, në Muzeun e Normales së Elbasanit, e cila në periudhën 1942-1945 ka dhënë kontribut të madh për hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, pastaj në Kalanë e Elbasanit, Kalanë e Tiranës dhe në disa institucione në qytetin e Durrësit, që në tërësi paraqesin vlera kulturore, mbartëse të kujtesës historike dhe identitetit tonë kombëtar.

Marketing