Institucionet heshtin për semaforët në Hasanbeg

Heshtin institucionet kompetente lidhur me semaforin në Hasanbeg. As komuna e Haraçinës, as ajo e Gazibabës e as Qyteti i Shkupit nuk përgjigjen për fatin e semaforit në Hasanbeg, për të cilin qytetarët ankohen se i njëjti shkakton vetëm kaos në trafik. Disa ditë më parë televizioni Shenja solli anketë me qytetarët të cilët kërkojnë heqjen e semaforëve dhe vendosje të një rrethrrotullimi. Qytetarët që e frekuentojnë çdo ditë këtë rrugë thonë se semafori i vendosur më shumë paraqet problem se sa zgjidhje.

Marketing

Po ashtu kishim edhe qëndrimin e Komunës së Haraçinës prej nga thonë se kanë dërguar kërkesë tek Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Gazibabës për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje. Ata thanë se Qyteti i Shkupit i ka siguruar se për një afat të shkurtër në vend të semaforëve do të ketë një rrethrrotullim, por nga Qyteti i Shkupit mohojnë të kenë pranuar një kërkesë zyrtare.

Semafori në fjalë ndodhet në Hasanbeg, pikën që lidh Hasanbegun, Haraçinën dhe Shkupin dhe i njëjti ndodhet në territorin e Komunës së Gazibabës. Kemi tentuar disa herë të marrim përgjigje edhe nga Komuna e Gazibabës lidhur me këtë çështje, megjithatë ata nuk e kanë parë të arsyeshme t’u përgjigjen pyetjeve tona.

Bëhet fjalë për semaforë të vendosur, për të cilët banorët thonë se kanë shkaktuar kaos në trafik, pasi të njëjtat nuk janë vendosur në mënyrën e duhur. Qytetarët thonë se rruga e Haraçinës është ajo që ka pasur përparësi në të kaluarën pasi është një rrugë rajonale, ndërkaq me vendosjen e semaforëve këto rregulla kanë ndryshuar dhe ajo që ka përparësi tani është rruga lokale. Rruga në fjalë lidh qytetin e Kumanovës me Kryeqytetin dhe kjo është arsyeja se përse është kaq shumë e frekuentuar. /shenja/

Marketing