Në ditën e dytë të qëndrimit në Uashington, ekipi i hulumtuesve nga ITShKSh-ja, i udhëhequr nga drejtori, prof. dr. Skender Asani, dje vizitoi Institutin Levine për edukimin e holokaustit, në kuadër të Muzeut Memorial të Holokaustit të Shteteve të Bashkuara në Uashington. Me këtë rast, përfaqësuesit e këtij Instituti: Christina Chavarria, Bethany Nagle dhe Andrea Bertrand nga Muzeu Memorial i Holokaustit u treguan të gatshëm që gjithë eksperienca në sferën e edukimit të holokausit dhe përkthimin e botimet e ndryshme nga kjo sferë të jenë në dispozicion të Departamentit të hulumtimit dhe edukimit të holokaustit pranë ITShKSh.
Dr. Asani i njoftoi nikoqirët me aktivietet që ka zhvilluar ITShKSh-ja në fushën e hulumtimit dhe edukimit të holokaustit, duke u bërë kështu një prej institucioneve të vetme që ka hapur edhe një department të posaçëm në këtë fushë.
Përfaqësuesit e Institutin Levine për edukimin e holokaustit, premtuan se në një të ardhme të afërt ekspertët e këtij instituti do të vizitojnë ITShKSh-në, për të detektuar nga afër nevojat dhe kërkesat mbi zgjerimin e njohurive në fushën e hulumtimit dhe edukimit të holokaustit. Kjo aq më tepër pasi që Instituti Levine është institucioni i shquar në botë që promovon edukimin cilësor të Holokaustit, duke trajnuar rreth 15 milion njerëz në mbarë botën çdo vit.
Përmes ekspozitave udhëtuese, burimeve arsimore shumëgjuhëshe dhe shtrirjes dixhitale, programeve publike, shtrirjes në kampus dhe trajnimit për edukatorët dhe udhëheqësit, Instituti Levine siguron që historia dhe edukimi i Holokaustit të mbeten të rëndësishme për brezat e rinj, duke stimuluar mendimin kritik dhe angazhimin e përgjegjshëm qytetar. Si pjesë e strategjisë për hulumtimin dhe edukimin e holokaustit , programet arsimore të Institutit Levine arrijnë te studentët, qeveritarët, mësuesit dhe publiku i gjerë, si dhe te drejtuesit e ushtrisë amerikane.