Politika e lartë duhet të lihet në Bruksel, ndërsa Delegacioni i BE-së mbetet këtu, pa marr parasysh nëse vendi ka marrë datë ose jo për fillimin e negociatave me Unionin, deklaroi sot euroambasadori Samuel Zhbogar lidhur me metodologjinë e re për negociata, para fillimit të Punëtorisë për mbështetje financiare që e mundëson BE-ja.
“Është shumë herët të flitet për metodologjinë e re. Siç thash edhe më herët, kjo duhet t’i lihet politikës së lartë të vendeve anëtare dhe diskutimeve në Bruksel. Ajo që ne duhet të fokusohemi është se çfarë mund të bëjmë si delegacion i BE-së, që t’u tregojmë njerëzve se jemi këtu ta vazhdojmë mbështetjen”, tha Zhbogar.
Ai potencoi se Evropa është këtu dhe do të mbetet këtu, me rritje të fondeve, posaçërisht për komunat, në të cilat, siç tha, njerëzit duhet të ndjehen dhe të jetojnë në mënyrë evropiane, pa dallim nëse janë hapur ose jo negociata.
“Si delegacion i BE-së nuk kemi rol të madh në procesin e marrjes së vendimeve të politikës së lartë në Bruksel, por kemi rol këtu në vend t’u tregojmë qytetarëve se jemi këtu, për mbështetje politike, me fondet. BE-ja është donatori më i madh në vend dhe siguron pothuajse njëqind milionë euro në vit në fondet për vendin, në të ardhmen do të arrijnë edhe shumë fonde të tjera”, shtoi Zhbogar.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski tha se përshëndet nismën e Delegacionit të BE-së për prezantimin e instrumenteve për financim të projekteve.
“Ministria është pjesë e këtyre programeve, më saktë punon në pjesën për bashkëpunim ndërkufitar të shtetit me vendet fqinje dhe gjatë kësaj periudhe rreth njëqind milion euro janë vendosur në dispozicion të shtetit dhe vendeve fqinje që janë përqendruar në projekte të ndryshme të mbrojtjes së mjedisit jetësor, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mbështetje e punësimeve dhe frymën sipërmarrëse, përmirësimi i kushteve shëndetësore, përmirësimi i kushteve nëpër shkolla, përforcim i administratës për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve”, tha Milevski.
Ai shtoi se për momentin janë aktive 91 projekte për bashkëpunim ndërkufitar, me ç’rast e përshëndeti idenë e Delegacionit të KE-së vitin e ardhshëm ta mbështet përforcimin e kapacitetit të vetëqeverisjes lokale.
Udhëheqësi i Sektorit për bashkëpunim në Delegacionin e BE-së, Nikolla Bertolini, tha se qëllimi i ngjarjes është jo vetëm të prezantohen programet për financim, por si të përmirësohet puna e përgjithshme në kuadër të fondeve dhe implementimi i projekteve.
Punëtoria është e fundit në serinë e punëtorive që u mbajt në 25 komuna dhe ka për qëllim ta informojë opinionin më të gjerë, ashtu edhe komunat në rajonin e Shkupit, me instrumentet për financim të BE-së.
Bashkimi Evropian është donatori më i madh në vend, me mbi 90 milionë euro në nivel vjetor për mbështetjen e reformave nacionale në sektor të ndryshëm. Përveç Instrumentit për ndihmë parainkuadruese (IPA) , BE-ja ka edhe mundësi të tjera për mbështetjen e vendit në rrugën e saj drejtë anëtarësimit të plotë.