Integrimi evropian, Osmani: Integrimi në BE deri në 2030, sipas meritave

Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, e vlerëson si historike deklaratën e kryetarit të KE-së, se BE-ja do të jetë gati për pranimin e vendeve të reja në vitin 2030, sepse nënkupton se kemi kornizë kohore se kur do të mund të bëheshim pjesë e familjes evropiane. Ndërsa, qëndrimi i presidentit francez Macron, për anëtarësimin me shpejtësi të ndryshme në BE, Osmani e cilëson si dëshmi se nëse vendet kandidate bëjnë punën e tyre, mund të integrohen në familjen evropiane para vitit 2030.

Marketing

“Macron flet për shpejtësi në kuptimin që jo të gjithë do të hyjnë menjëherë, por me shpejtësi të ndryshme, varësisht se kush dhe kur është gati. Dhe jo në kuptimin e privilegjuar dhe më pak të privilegjuar, sepse nuk do të pranojmë asgjë më pak se anëtarësimin e plotë në BE.”, – theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Maqedonia e Veriut është një partner kyç në NATO për Kanadanë dhe ne duam ta shohim atë edhe si anëtare të Bashkimit Evropian, tha shefja e diplomacisë kanadeze, Melanie Joly.

“Siç e dini, Kanadaja nuk është anëtare e BE-së, por ne jemi miq të ngushtë me BE-në dhe Maqedoninë e Veriut. Ne besojmë fuqishëm se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE dhe ju mund ta konsideroni mbështetjen tonë. Dëshiroj t’ju inkurajoj që të vazhdoni përpjekjet tuaja për anëtarësim në BE.”, – u shpreh ministrja e Jashtme e Kanadasë, Melanie Joly.

Për të forcuar bashkëpunimin, Maqedonia e Veriut dhe Kanadaja do të realizojnë takime më të shpeshta dhe do të tentohet edhe sigurimi i regjimit pa viza për qytetarët maqedonas për të vizituar Kanadanë. Ndërkohë, MPJ-ja kërkoi nga Kanadaja që të hapë ambasadë në Shkup, në mënyrë që të ketë kontakte më të mira.

Marketing