Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, sot përkujtoi 108 vjetorin e lindjes së nënës së mirësisë, humanizmit dhe paqes në botë, Gonxhe Bojaxhiu – Shën Tereza.
Me këtë rast, një delegacion i udhëhequr nga drejtori i Institutit, Skender Asani, si dhe përfaqësues të shoqatave qytetare, intelektualë, etj., vendosën lule para pllakës përkujtimore të ish-shtëpisë së shenjtores shqiptare në Sheshin e Shkupit.
Po ashtu, në shenjë të nderimit të Shën Terezës, sot prej ora 13:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, nën patronazhin e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, do të promovojë librin “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve Skender Asani, Albert Ramaj e Natasha Didenko, dhe ekspozitën dokumentare “Jeta përmes kujtimeve”.
Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot do t’i ndahet çmimi shtetëror “Nëna Tereza” për vitin 2018 aktivistes Lençe Zdravkin dhe piktorit Omer Kaleshi.
Çmimi ndahet për arritjet e shquara në interes të shtetit në fushën e humanizmit, solidaritetit njerëzor dhe nxitjen e mirëkuptimit të ndërsjellët dhe zhvillimin e bashkëpunimit, si midis popujve, ashtu edhe midis pjesëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme.
Ky çmim ndahet nga viti 2006 më 26 gusht – ditën e lindjes së Nënë Terezës.