“Inteligjenca emocionale do të na shpëtojë”. Flet Elif Shafak, autorja e “Bastardja e Stambollit”

Leila Tequila është një vajzë e lindur në një familje konservatore në Turqinë lindore, e cila arrin të shpëtojë nga të afërmit e saj, për të humbur në lagjet e prostitucionit në Stamboll: dhe ajo është protagonistja e librit të ri nga Elif Shafak, “10 minutat e 38 sekondat e mia të fundit në këtë botë të çuditshme”. Një roman kushtuar grave në Stamboll, i cili gërsheton kontrastet e Turqisë bashkëkohore me temat e pabarazisë gjinore dhe dhunës seksuale: por që i ka kushtuar autores, javët e fundit, një vërshim abuzimesh në internet nga trolle dhe llogari automatike prapa të cilave mund të shihet dora e regjimit të Erdoganit. “Ky nivel histerie është i ri,” thotë Elif Shafak, shkrimtarja turke që fitoi famë botërore me “Bastarden e Stambollit” dhe që jeton në Londër prej 15 vjetësh, ku mori nënshtetësinë britanike. “Eshtë një ndërthurje e ligjeve antidemokratike dhe anës së errët të mediave sociale. Ajo që shkrimtarët si unë vuajnë sot është një linçim shoqëror”.

Marketing

Por nuk është e gjitha. Sepse magjistratura turke ka vendosur që të hetojë romanet e saj të mëparshme, të dyshuar për imoralitet dhe paturpësi sepse flasin për dhunën ndaj grave: “Në Turqi”, komenton shkrimtarja, “kemi një nivel alarmant abuzimesh seksuale dhe dhune gjinore. Qeveria autoritare e Erdoganit sapo ka miratuar një ligj të ri, quajtur ‘martesa myfti’, që e bën më të kollajtë për familjet që të japin nuse vajzat e reja në ceremoni islamike. Në vend të ndryshojnë ligjet patriarkale, vënë në shënjestër shkrimtarët që guxojnë të flasin për këto tema. Eshtë e trishtë”.

Cila duhet të jetë qasja e intelektualëve përballë këtyre sulmeve?

“Ne të gjithë duhet të angazhohemi në hapësirën publike dhe civile, të angazhohemi në politikë. Eshtë indiferenca që lejon të ndodhin gjëra të këqia: shkrimtarët duhet të ngrenë zërin”.

Në fakt në këto vite ju jeni bërë një zë i fortë në debatin jo vetëm për Turqinë, por për tërë Evropën dhe të ardhmen e demokracive.

“Po, sepse edhe në Evropë kemi arritur në një pikë ku nuk mund të heshtim më. Unë e di, nga ajo që ndodhi në Turqi, se demokracia mund të vdesë: dhe këtu ne përballemi me një rrezik të madh autoritar. Më parë mendohej se vendet perëndimore ishin imune: por askush nuk është imun. Jemi përballë një lufte kulturore dhe përgjigja duhet të vijë nga kultura, e cila na kujton humanitetin tonë të përbashkët dhe na lidh me njëri-tjetrin. Sepse ne e dimë se çfarë ndodh kur humbasim empatinë dhe të tjerët, për shembull emigrantët, bëhen thjesht numra”.

E keni fjalën për përparimin e të djathtave populiste në Evropë dhe retorikës së tyre ksenofobe?

“Po, sepse ato tashmë kanë një ndikim, po dëmtojnë besimin në demokracinë parlamentare, në institucione dhe në media. Dhe unë nga shembulli i vendit tim e di se nëse humbet median, nëse i dorëzohesh retorikës sipas të cilës të gjithë gënjejnë, atëherë humbet edhe demokracinë”.

Megjithatë, qëllimi kryesor i populistëve duket se është ta vënë Evropën nën kontroll.

“Dhe ata tashmë po dëmtojnë idenë e Evropës si një entitet i bazuar në diversitet. Kjo është edhe arsyeja pse e vendosën gjithë atë theks në familjet tradicionale: shiko për shembull festivalin që u organizua kohët e fundit në Itali”.

Në çfarë kuptimi?

“Në kuptimin që ata janë të shqetësuar për uljen e popullsisë, gjë e cila do të sillte nevojën për më shumë emigrantë: por ata nuk duan, dhe pastaj përgjigjen duke stimuluar lindjet. Që do të thotë të shtyjnë gratë që të jenë thjesht në rolin e nënave dhe asgjë tjetër. Edhe një herë beteja zhvillohet mbi gratë”.

Po cila është mënyra më e mirë për të përballuar këtë sfidë?

“Populistët ofrojnë përgjigje të gabuara për problemet reale: dhe nëse nuk japim përgjigje, do të shohim një rritje të mëtejshme të atyre lëvizjeve. Ne nuk mund të mashtrohemi kollaj, sepse një krizë e re ekonomike ose financiare do t’i rikthente ato me forcë edhe më të madhe. Ne duhet të të bëjmë një dallim midis populistëve dhe njerëzve, por pa i ndjekur ata në terrenin e tyre. Në të vërtetë, ne duhet të jemi në gjendje të zhdukim helmin nga gjuha e tyre. Dhe ne kemi nevojë për një inteligjencë të re emocionale. Populistët përdorin emocione shumë më mirë sesa liberalët: por nëse faktet janë të rëndësishme, të tilla do të jenë edhe emocionet”.

Një kundër-lëvizje mund të shihet në suksesin e të Gjelbërve në të gjithë Evropën, në zgjedhjet e fundit, këtu në Britaninë e Madhe por mbi të gjitha në Gjermani dhe gjithashtu në Francë.

“Po, është inkurajuese, po lind një narrativë e re progresiste. Sepse e majta e vjetër nuk ka më përgjigje për të dhënë”.

Dhe në fakt këtu në Britaninë e Madhe, Laburistët janë në krizë: por shumica duket se joshen nga sirenat nacional-populiste të Farage.

“Eshtë e vërtetë, kur mbërrita në Britaninë e Madhe kishte një vend plot besim, ndërsa sot ne jemi në një situatë të re. Dhe ajo që po vjen me Brexit është një zhgënjim që ka zier nën sipërfaqe, për një kohë të gjatë: Farage shfrytëzon këtë klimë, por nuk është një fenomen kalimtar dhe nuk duhet të nënvlerësohet. Edhe për Trumpin, në fillim ata menduan se ai ishte thjesht një klloun …”.

Një tjetër shënjestër e populistëve të krahut të djathtë është Islami. Ju nuk jeni besimtare, por jeni rritur në kulturën muslimane: si e gjykoni rritjen e islamofobisë?

“Theshtë përplasja e dy ekstremizmave: nga njëra anë racistët dhe islamofobët, nga ana tjetër fondamentalistët muslimanë që përhapin dhunën. Ajo që na duhet janë zërat muslimanë përparimtarë”.

Ka nga ata që thonë se një tani po lind Islam Evropian, i integruar në vlerat perëndimore.

“Unë ende nuk shoh një Islam Evropian, por padyshim që ka një lëvizje progresive brenda tij. Frika ime është se ekstremi i njërit thërret të kundërtën: dhe kështu ata ushqejnë njëri-tjetrin”.

IlVenerdi – Bota.al

Marketing