Klubi futbollistik italian Inter sot zyrtarisht njoftoi se Luciano Spalleti nuk është më trajner i tyre.
Me këtë konfirmohen pohimet prej disa javësh të mediave se Spalleti, pas dy sezoneve do të largohet nga Interi. Tani pritet që klubi milanez të zyrtarizojë pohimet tjera, sipas të cilave trajneri i ri do të jetë Antonio Conte, ish-strategu i Juventusit dhe Chelsea-t.
“FC Internazionale mund të konfirmojë se Luciano Spalleti nuk është më trajneri kryesor i ekipit të parë. Klubi dëshiron t’i falënderohet për punën e tij dhe rezultatet e arritura”, thonë nga klubi i Interit.
Spalleti sezonin e kaluar arriti që pas 7 vitesh ta kthejë Interin në Ligën e Kampionëve dhe të njëjtën e arriti edhe në sezonin e sapopërfunduar në Serie A. Por, shihet se pagoi çmimin se për dy sezone klubit të famshëm milanez nuk i solli asnjë trofe.
Sipas mediave italiane, Conte si pasues i Spalletit në pankinën e Interit do të prezantohet nesër.