Marash Kumbulla e rinisi sezonin e Serie A me të njëjtin ritëm që ishte ndalur në muajin mars. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ishte protagonist i një paraqitjeje shumë pozitive në suksesin 2-1 që Verona e tij arriti ndaj Cagliarit në sfidën e prapambetur të javës së 25-të.
Falë kësaj fitoreje Hellas që luajti që nga minuta e 35-të me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Borinit, mund të ëndërrojë kualifikimin në Europa League, pasi aktualisht skuadra e Ivan Juric pozicionohet në vendin e 7-të të Serie A me 38 pikë të grumbulluara.
Nëse Verona arrin Europën meritat do të shkojnë edhe për dyshen shqiptare Kumbulla-Rrahmani që edhe ndaj Cagliarit u shfaqën në lartësinë e duhur gjatë gjithë 90-minutëshit. Marash Kumbulla ka folur pas takimit për DAZN, aty ku vlerësoi ndeshjen e skuadrës dhe shpjegoi se pse nuk i bën përshtypje interesimi i klubeve të mëdha italiane.
“Kishim një dëshirë të madhe për t’u kthyer në fushë. Ishte një fitore e bukur, të gjithë luajtëm mirë, disa prej nesh shkëlqyen. Nuk jemi akoma në 100%, por stërvitjet po na ndihmojnë të kthehemi gradualisht ata që ishim në muajin mars.
Ftohtësia ime në lidhje me interesimin e Juventusit dhe Interit? Kështu jam unë. Le të themi se kjo është meritë e atyre që më rethojnë: shokëve të skuadrës, trajnerit dhe klubit, të cilët më kanë ndihmuar shumë“, nënvizoi 20-vjeçari i kombëtares shqiptare. Në këtë sezon të Serie kuqeziu i talentuar është aktivizuar në 19 takime me Veronan në kampionat duke realizuar dhe 1 gol.