Interi i përgjigjet Juves nga Torino, mposht pastër skuadrën “Granata”

Juventusi fitoi 1-3 në Bergamo ndaj Atalantës, duke u shkëputur nga Interi, por zikaltrit u kundërpërgjigjën pikërisht nga shtëpia e bardhezinjve, Torino, ku fituan me rezultatin e thellë 0-3 ndaj “granatave” të Walter Mazzarrit.

Marketing

Në një terren të rënduar nga reshjet e shumta të shiut, që përveçse gjatë ditës, ranë pa pushim edhe gjatë ndeshjes, sfida nisi më e mirë për vendasit, që morën kontrollin e lojës dhe hodhën disa krosime të rrezikshme në zonën e Handanovic.

Megjithatë pas 12 minutash lojë, Vecino fitoi një dyluftim ajror në mesin e fushës dhe pa dashje dha një asist për Lautaro Martinez, që fitoi duelin e shpejtësisë me mbrojtësit torinezë dhe mposhti edhe portierin Sirigu, për të kaluar zikaltrit në avantazh.

Torino u përpoq të reagojë, por pa saktësinë e duhur, ndërsa në minutën e 32-të ishte sërish Interi që shënoi golin e dytë me anë të holandezit Stefan De Vrij, pas një skeme perfekte të realizuar gjatë ekzekutimit të një këndoreje.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, zikaltrit patën mundësinë edhe për golin e tretë, por goditja e Barella u grushtua bukur nga Sirigu, ndërsa mesfushori zikaltër pësoi një dëmtim dhe u detyrua të mbyllë para kohe pjesën e parë.

Torino pati mundësi të rihapë takimin në 45-minutëshin e parë, por mundësia më e mirë erdhi në këmbët e Silvestrt, që gjuajti drejt portës, aty ku Handanovic bëri një nga pritjet më spektakolare të mbrëmjes.

Në pjesën e dytë ishte Romelu Lukaku që vuri emrin e tij në listën e golshënuesve, duke gjetur golin e tretë të mbrëmjes për Interin dhe të dhjetin personal me fanellën zikaltër në 13 javët e para të kampionatit.

Në minutat e mbetura, Conte pati mundësi të freskojë skuadrën dhe të menaxhojë forcat për takimin e mesjavës në Champions, ndërsa me këtë fitore Interi mban hapin e Juventusit me vetëm një pikë më pak në vendin e dytë.