Edhe përkundër insistimit të grupit parlamentarë të VMRO-DPMNE-së që të vendosen në rend dite në kuadër të seancës së 39-të të kuvendit interpelancat e iniciuara për ministrin e Drejtësisë, Bojan Mariçiq dhe zëvendëskryeministrin, Lupço Nikollovski, nuk do të shqyrtohen nga Kuvendi. Kreu i kuvendit Talat Xhaferi refuzoi të hedhë në votim kërkesën e deputetëve të opozitës teksa i përkujtoi se me pajtimin e tyre dy interpelancat janë tërhequr nga rendi i ditës së seancës 36-të kur u votuan ligjet e pakos së pestë ekonomike me qëllim që të fokusohen vetëm te ligjet ekonomike.
“Lidhur me obligimet e mia seanca e parë për këto dy pika ishte seanca e 36, por ju kërkuat dhe i tërhoqët nga ajo dhe me propozimin tuaj u votua. Këtë e votoi shumica e kuvendit dhe nuk kam të drejtë sipas rregullores që të përsëris votim për diçka që është votuar.”,- tha kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi.
Por, nga VMRO-DPMNE-ja theksuan se kjo nuk kishte qenë pjesë e marrëveshjes. Sipas tyre, nëse interpelancat janë hequr nga rendi i ditës nuk do të thotë që nuk mund të shqyrtohen më.
“Interpretoni interpelancat, ku keni parë që ato nuk mund të vihen në seancën e ardhshme. Sepse rendi i ditës nuk u miratua për ato interpelanca. Ata janë në procedurë parlamentare. Vërtetë ishin të vendosura në propozim rend, por ai rend dite nuk u miratua. Interpelancat nuk janë tërhequr.”,- theksoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Ndryshe deputetët për shqyrtim kanë edhe interpelancën për punën e ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, të cilën e parashtruan deputetët e opozitës shqiptare.