Interpleanca për kryeparlamentarin Gashi, çka pritet të ndodhë?!

Në rend dite të seancës së sotme parlamentare është edhe interpelanca për kryeparlamentarin Afrim Gashi.

Marketing

Interpelancën e ka dorëzuar grupi parlamentar i së Majtës dhe sipas njoftimeve mbështetje do të japë LSDM-ja opozitare, ndërsa VMRO-DPMNE dhe partneri i koalicionit “VLEN” janë shprehur kundër.

Kryeministri dhe kreu i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski e quajti iniciativën marrëzi dhe papjekuri politike të partive opozitare.

“Kjo është papjekuri, do të thosha marrëzi e koalicionit LSDM, BDI dhe partisë ‘E Majta’ dhe se absolutisht nuk ka bazë për interpelancë të kryeparlamentarit Gashi dhe ne nuk do ta mbështesim një iniciativë të tillë dhe kemi një sërë argumentesh pse nuk duhet ta bëjmë atë”, tha Mickoski.

Nga “VLEN” nuk do ta mbështesin interpelancën sepse sipas tyre është një eksperiment politik i pakuptimtë dhe tentativë për destabilizim.

“Shprehim mbështetje të parezervë dhe unanime për kryetarin Afrim Gashi, duke theksuar se kjo interpelancë është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj institucioneve shtetërore dhe integrimit euro-atlantik të vendit. Kjo është një iniciativë e parashtruar nga partia anti-NATO, “LEVICA”, me mbështetje të hapur nga LSDM dhe të fshehur nga BDI, të cilat në fakt po testojnë një koalicion opozitar të zgjeruar në dëm të interesave strategjike”, kanë thënë në VLEN.

Interpelanca për kryeparlamentarit nuk do të mbështetet as nga deputetët e ASh-Sela, pjese e FE. Thonë se edhe pse nuk janë të kënaqur nga puna e Gashit, megjithatë argumentet e Levicës sipas tyre janë të pabaza.

Nga grupi parlamentar i partisë së Venko Filipçes numërojnë disa nga arsyet, si skandalin ne aeroportin e Shkupit dhe rastin e dasmës me veturë zyrtare.

“Qëndrimi im personal është që interpelanca duhet të mbështetet. Janë bërë shumë lëshime për të cilat ne ishim ata që e informuan opinionin. Jo vetëm ne por edhe disa institucione dolën dhe konstatuan disa shkelje sa i takon rregullave të sjelljes së funksionarëve”, tha Venko Filipce, kryetar i LSDM-së.
Kryetari i Kuvendit Gashi në konferencën për media më 27 gusht deklaroi se interpelanca nuk ishte e qëndrueshme politikisht. Në një prononcim për televizionin “Sitel”, dhënë dje, Gashi tha se do të dëshironte që çdo deputet të votojë dhe të vendos sipas bindjes së tij.

Në sqarimin për interpelancën thuhet se kryeparlamentari ka punuar në mënyrë joprofesionale, antikushtetuese dhe joprofesionale dhe ka lënduar laicitetin e shtetit, sepse ka lejuar kryerjen e riteve fetare në njërën nga seancat e komisionit. Përmendet edhe rasti i presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit më 1 gusht dhe sipas Levicës, kryeparlamentari ka shkelur përdorimin e gjuhës maqedonase, sepse betimin që ka bërë, si president tashmë i zgjedhur, e ka thënë fillimisht në shqip. , dhe jo në gjuhën maqedonase.

Marketing