IPB “Arbën Xhaferi”: RMV ende larg zgjidhjes së problemit të pashtetësisë

Sot, në përvjetorin e dytë të miratimit të ligjit për shtetësinë, Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi organizoi debat publik ku u diskutuan të arriturat dhe pengesat në zbatimin e ligjit.

Marketing

Arben Fetai, drejtor i IPP Arbën Xhaferi, theksoi se “edhe përkundër faktit se Maqedonia e Veriut është bërë me ligj të ri të shtetësisë dhe nga viti 2020 është nënshkruese e Konventës së OKB-së për Reduktimin e Pashtetësisë, pashtetësia vazhdon të ngelet një problem në vendin tonë.”

Ai tha se sipas një raporti të ri nga IPP Arbën Xhaferi (https://shorturl.at/yBIT8), bazuar në informata të siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) përmes pyetjeve të deputetëve dhe kërkesave për qasje në informata me karakter publik, nga shpallja e ligjit të ri për shtetësinë e deri më tani, janë dorëzuar gjithsej 1.015 aplikime për shtetësi:

817 persona e kanë fituar shtetësinë, nga të cilët 209 kanë qenë pa shtetësi.
198 persona janë në proces të marrjes së shtetësisë, nga të cilët 16 persona janë pa shtetësi.

Ilire Dauti, Deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, theksoi se një ndër problement kryesore ngelet fakti se MPB-ja, në kundërshtim me procedirën e nenit 7 të ligjit, vazhdon të dërgojë lëndët për shtetësi në Agjencinë për Siguri Nacionale (ASN) për opinion rreth biografisë së aplikuesit. Dauti poashtu tha se një pjesë e deputetëve që janë pjesë e komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Punës së ASN-së, nuk janë të paisur me çertifikatë sigurie, gjë që u pamundëson atyre kontroll efektive të agjencisë.

Suzana Saliu, Zëvendëse e Avokatit të Popullit, dha statistika në lidhje me 20.000 lëndët e ndryshme ende të pashqyrtuara nga ASN-ja, ndër to, rreth 7.000 aplikime për shtetësi. Saliu theksoi që një ndër barrierat kryesore në zbatimin e ligjit për shtetësinë është mos reformimi i strukturave të sigurisë dhe inteligjencës të cilat vazhdojnë të jenë mbi ligjin.

Me këto pika, u pajtua Adrian Kerimi, Gazetar në Alsat, i cili solli edhe dëshmi të abuzimeve nga ana e ASN-së në raste individuale të aplikimit për shtetësi. Kerimi sugjeroi që një zgjidhje e mundshme në lidhje me mos zbatimin e ligjit të shtetësisë do duhej të ishte themelimi në Kuvend, i një komisioni hetues që do kërkonte llogaridhënie nga ASN-ja.

Në përgjithësi, bashkëbiseduesit u pajtuan se ligji i ri për shtetësinë ka sjellur progres por se ngecjet në zbatim janë ende të shumta. Njerëzit pa shtetësi përballen me shumë barriera burakratike dhe arbitraritet, kryesisht nga ana e ASN-së, gjë që ndikon që shumë qytetarë të ngurrojnë të aplikojnë për shtetësi. Veç kësaj, mungesa e transparencës institucionale ngelet një ndër problemet kryesore kur është fjala për çështjen e pashtetësisë.

Disa nga rekomandimet që dolën nga paneli i diskutimit ishin si vijon:

1. Ministria e Punëve të Brendshme duhet të sigurojë transparencë të plotë rreth aplikimeve për shtetësi, përfshirë duke u mundësuar aplikuesve që të ndjekin progresin e lëndës së tyrë përmes infrastrukturës informatike të ministrisë.

2. Ministria e Punëve të Brendshme duhet të trajtojë aplikimet sipas nenit 7 të Ligjit për shtetësinë brenda një afati të arsyeshëm ligjor, me automatizëm dhe pa involvim të ASN-së.

3. Ministria e Drejtësisë përmes programit të ndihmës juridike falas duhet të sensibilizojë dhe ndihmojë qytetarët që ngurrojnë të aplikojnë apo përballen me barriera burokratike.

4. Kuvendi përmes Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë për Sigurinë Nacionale dhe Agjencisë së Zbulimit apo përmes krijimit të një komisioni hetues, duhet të kërkojë llogari nga ASN-ja rreth lëndëve të bllokuara dhe të mbikëqyrë neglizhencat dhe arbitraritetin nga ana e Agjencisë.

5. Nëse pengesat nga ana e ASN-së vazhdojnë, Kuvendi të themelojë komision parlamentar për shtetësinë / natyralizime i cili do të jetë organi i vetëm vendim-marrës në çështjet e shtetësisë, bazuar në praktikat më të mira evropiane.