IPP Arbën Xhaferi mirëpret shpalljen non grata të Ramiz Merkos dhe uron të ketë shumë përcaktime të tjera gjatë muajve në vijim

Dy vite pas firmosjes nga Presidenti Biden i urdhrit ekzekutiv për zgjerimin e sanksioneve amerikane për të përfshirë si shkak edhe korrupsionin krahas destabilizimin rajonal, Departament i Shtetit shpalli sot non grata Ramiz Merkon, kryetar i Komunës së Strugës dhe anëtar i Kryesisë së BDI-së.

Marketing

Sipas Departamentit të Shtetit, Merko është përfshirë në korrupsion domethënës, duke përvetësuar fonde në mënyrë të paligjshme, dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike. Si pasojë, atij dhe familjes së afërt u ndalohet hyrja në SHBA.

Ky përcaktim i sotëm është një sinjal që ka potencialin për të rikthyer shpresën në Maqedoninë e Veriut. Drejtori i IPP Arbën Xhaferi, Arben Fetai, i cili duke komentuar ardhjen e ekipit të sanskioneve në dhjetorin e shkuar thoshte se “shumica e qytetarëve shpresojnë se kjo do të rezultojë me zgjerimin e listës së sanskioneve amerikane përtej aktorëve të pensionuar si Gruevski dhe Mijallkov, për të përfshirë peshqit e mëdhenj të partive në pushtet, veçanërisht në radhet e BDI-së e cila për shkak të konsideratave gjeostrategjike të imponuara nga aritmetikat zgjedhore, deri më tani është kursyer nga miqtë ndërkombëtarë.”

Nga sot, SHBA-të dëshmuan se askush nuk është i paprekshëm, madje as BDI. Përgëzojmë Ambasadoren Aggeler për konsistencën e saj dhe paralajmrimin se do të ketë përcaktime tjera gjatë këtij viti.

Korrupsioni duhet të ketë pasoja, por shpalljet non grata nuk mjaftojnë. Rruga përpara është e trasuar nëse me të vërtetë duam të çrrënjosin korrupsionin. Maqedonisë së Veriut i nevojitet një shok terapi, duke filluar me futjën në listën e zezë amerikane dhe largimin nga skena e aktorëve të korruptuar nga politika dhe sistemi i drejtësisë, të cilët duhet të marrin ndëshkim meritor në gjykatë. Krahas kësaj, duhet zbatuar edhe reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi, duke ndjekur shembullin e Shqipërisë.

Tani është koha për veprime edhe më konkrete dhe të guximshme karshi shtetit të së drejtës dhe luftimit të korrupsionit. Sytë e të gjithëve janë drejtuar kah Kalaja.